Banorët e Urumçisë kërkojnë t’i jepet fund izolimit

Kinezët nuk po i durojnë dot më politikat e ashpra kundër përhapjes së Covid-19, që vazhdojnë të zbatohen nga zyrtarët komunistë të Pekinit, por që prej të cilave pjesa tjetër e globit ka hequr tashmë dorë.

Banorët e qytetit perëndimor të Urumçisë shpërthyen në protesta të pazakonta për një vend diktatorial si Kina. Madje në disa raste, pati edhe përleshje mes tyre dhe forcave të policisë të veshura me kostume të bardha të karantinës.

Banorët bënë thirrje për të shfuqizuar rregullin e karantinës, që prej muajsh izolon rregullisht të gjithë të infektuarit dhe njerëzit që kanë pasur kontakte me ta anekënd rajonit autonom ujgur të Shinxhiangut.

Bëhet fjalë për protestën më të madhe të organizuar ditët e fundit kundër politikës së presidentit Xi Jinping 0-Covid. Revolta më të izoluara ka pasur këtë javë edhe në Zhengzhu, ku spikat ajo e punonjësve të firmës së teknologjisë së lartë Fokskon, sërish kundër këtyre masave.

Tv Klan