Në Francë, Ministri i Brendshëm Christophe Castaner akuzoi të djathën ekstreme për nxitjen e akteve me dhunë dhe të përleshjeve të protestuesve me policinë në Paris.

Marine Le Pen, Kryetarja e Partisë së Asamblesë Komnbëtare, që më parë njihej si Fronti Kombëtar, në fillim të javës, i bëri thirrje protesteusve që të shkonin drejt Bulevardit kryesor të Parisit, Champs-Elysées, megjithëse autoritetet kishin ndaluar zhvillimin atje të demonstratave.

Ministri i Brendshëm francez i bëri këto komente ndërsa policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë qindra demonstrues të zemëruar, të mbledhur të shtunën në Paris për të protestuar kundër bllokadave në rrugë, nën udhëheqjen e shoferëve të makinave që kundërshtojnë rritjen e taksave për karburantin dhe drejtimin e vendit nga Presidenti Emmanuel Macron.

Në protestat e zhvilluara në mbarë Francën ditët e fundit u përfshinë 23 mijë vetë, 5 mijë ndër ta vërshuan në Bulevardin Champs-Elysees. Minsitri i Brendshëm u tha gazetarëve se protesta është dobësuar.

Për të vënë nën kontroll demonstruesit e zemëruar u dërguan mijëra policë. Gjatë një javë me demonstrata, ku protestuesit mbanin në duar parrulla me fjalët “Vdekje taksave”, dy vetë humbën jetën dhe qindra njerëz pësuan lëndime. Situata politike në Francë shihet si një tregues i pakënaqësive ndaj Presidentit Macron, i cili akuzohet për indiferencë ndaj vështirësive të jetës për francezët e thjeshtë./VOA