Policia e Shtetit, në komunikimin e saj zyrtar, ka bërë sot publike masat e marra në kuadër të mbarëvajtjes së protestës së nesërme, mbi bazën e kërkesës së bërë nga Partia Demokratike.

Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.

Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor.

/tvklan.al