Kundërshtojnë subvencionimin e grurit

Qindra fermerë protestuan me traktorët e tyre para Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, për të kundërshtuar politikat e subvencionimit të grurit. Fermerët kërkuan nga ministria e Bujqësisë që të anulojë vendimin me aplikimin e kritereve të reja për vitin prodhues 2020/2021 që të fillojnë të zbatohen prej vitit të ardhshëm. Kërkesë tjetër është bërja e një memorandum bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Bujqësisë dhe Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës së bashku me bujqit tjerë.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri më 27 Shtator atëherë ata paralajmëruan protestë më radikale e cila do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave. Protesta e fermerëve para ministrisë zgjati për një orë. Sipas tyre për shkak të kritereve të ashpra nuk do mund të përfitojnë subvencione mbi 80 për qind e bujqve.

“Ajo që e ka rënduar situatën kohët e fundit është thirrja për aplikim e Ministrisë së Bujqësisë, ministrit Faton Peci i cili ka bërë një thirrje me disa kritere të cilat janë të papërballueshme për realizimin e të drejtave të bujqve për t’u subvencionuar për kulturat bujqësore të vitit 2020-2021”.

Për shkak të situatës në veri e kemi reduktuar një numër të madh të fermerëve, i lutemi ministrisë të reflektojnë përndryshe protesta tjetër do jetë shumë e madhe dhe nuk kemi për t’u larguar nga Ministria e Bujqësisë derisa të na plotësohen kërkesat tona”.

Ditë më parë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte hapur periudhën e aplikimit për subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore. Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2021, ministria ka ndarë një buxhet prej 21 milionë euro ndersa afati për aplikim për këtë program përfundon më 28 shtator 2021.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural planifikon subvencione për grurë, për misër, për elb, thekër, tërshërë, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi qumështore, për bletë, pula vojse, thëllëza, për dosa për riprodhim, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për viça për majmëri.

Klan News