Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij të parë në Parlament ka përgënjështruar lajmin e dalë në media për procedimin e 25 protestuesve, mes të cilëve edhe pedagogut Edmond Tupe dhe artistit Robert Aliaj.

“Pra edhe njëherë e përsëris, më shumë për opinion publik: Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit”.

Një ditë më parë, në media qarkullonte lajmi për fillimin e procedimeve penale ndaj disa studentëve dhe pjesëmarrësve në protestë. Lajmi bazohet në një komunikatë të brëndshme të policisë, teksa renditen 25 emrat për të cilët kishte nisur procedimi.

Mes personave të proceduar për protestën e ditëve të fundit shfaqen emrat e pedagogut Edmon Tupe, artistit Robert Aliaj, studentëve dhe disa aktivistëve të shoqërisë civile. Ndaj tyre u referuan në prokurori materialet për organizim tubimesh të paligjshme. Në një reagim për Tv Klan, pedagogu Tupja u shpreh se edhe pas hekurave do të vazhdohjë të mbështesë studentët në kauzën e tyre.

“Po ia tund themelet qeverisë dhe kryeqeveritarit, po ia tund themelet. Do të më fusë në burg? Po do të më bëjë hero. Ai do me zor të më bëjë hero mua. Unë s’dua të bëhem hero. Ai do të më bëjë hero. “Kryemjeshtri” i kësaj gjendje. Edhe prapa hekurave të burgut, prapë do t’i mbështes.”

Në emisonin “Opinion” në Tv Klan ka reagaur për procedimin edhe artisti Robert Aliaj.

“Unë nuk kam bërë asgjë, kam aplikuar të drejtën time për të qenë qytetar. Unë nuk marr parasysh fare shtetin, unë di detyrimet që kam karshi shtetit, edhe të drejtat”.

 

Në një dekaratë për shtyp pasditen e djeshme ka reaguar edhe Policia e Shtetit teksa ka njoftuar se janë proceduar disa persona për protestat e ditëve të fundit.

“Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh, të cilat kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pa cenuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve.

Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike.

Policia e Shtetit shpreh edhe një herë gatishmërinë e strukturave të saj për të shërbyer me përkushtim të plotë ndaj të drejtës së çdo qytetari për të protestuar si dhe ndaj mirëmbajtjes së rendit, sigurisë dhe normalitetit të jetës për të gjithë qytetarët e tjerë”.

Tv Klan