Shkak, vrasja e një afro-amerikani nga policia

Skenat e dhunës nuk ndalen në protestat për vrasjen nga policia të afro-amerikanit George Floyd, që vijojnë prej 5 ditësh.

Numri i viktimave nga arritur në 3, të gjithë persona që kanë qenë pjesë e protestave, ndërsa me dhjetëra janë të plagosurit mes të cilëve 12 oficerë policie. Gjendja kaotike vazhdon në 17 qytete, ndërsa protestat janë shtrirë anekënd Shteteve të Bashkuara, nga Kalifornia në kryeqytetin Uashington. Qindra persona protestuan për të dytën natë radhazi përpara Shtëpisë së Bardhë.

1400 manifestues janë ndaluar deri më tani. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në disa qytete, si Atlanda, Filadelfia, Miluoki, Denver, etj. Njësitë speciale paraushtarake të gardës kombëtare zbritën në terren për të rikthyer rendin publik, pasi manifestuesit e dhunshëm i vunë flakën komisariateve të policisë, e qindra biznese u grabitën e u dogjën.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se vdekja e George Floyd ishte një tragjedi e madhe, por shprehu angazhimin se dhuna në protesta ishte e patolerueshme. Ai paralajmëroi se aktet e dhunës do të ndaleshin me çdo çmim.

Tv Klan