Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas protestës që bënë mbrëmjen e së dielës bizneset në Lungomare të Vlorës kundër muzikës që ndalohej në orën 22:00. Meta thotë se po ndjek me vëmendje situatën dhe u bën thirrje autoriteteve që të dëshmojnë ndjeshmëri dhe përgjegjësi në adresimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin.

Ai shprehet se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme. Sipas Presidentit, dialogu i sinqertë dhe bashkëpunimi nga ana e shtetit  ofrojnë mundësinë për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

“Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor. Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta. Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme. Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqertë dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë”, shkruan Meta.

Një pjesë e bizneseve turistike në qytetin e Vlorës kanë protestuar dje kundër vendimit në fuqi që ndalon muzikën në lokale apo ambiente të tjera publike pas orës 22:00. Duke shprehur shqetësimin e tyre se ky vendim po i dëmton biznesin duke u larguar klientët, ata mbrëmjen e djeshme, teksa ka hyrë në fuqi rregulli i ndalimit të muzikës, kanë vendosur himnin kombëtar.

Por kjo nuk ka penguar forcat e rendit që të kërkojnë respektimin e vendimit dhe të vendosin masa administrative për bizneset që nuk e kanë respektuar atë. Policia ka bërë shoqërimin në komisariat të disa prej tyre, të cilët pasi kanë dhënë sqarimet e nevojshme janë lënë sërish të lirë pas mesnate./tvklan.al