Policia përdor dhunën për shpërndarjen e tyre

Në qytetet kryesore të Rusisë, mijëra njerëz dolën në rrugë në mbështetje të liderit të opozitës Aleksei Navalni i arrestuar nga autoritetet një javë më parë sapo u kthye nga Gjermania.

Mbështetësit kërkuan lirimin e kritikut të Kremlinit, i cili i ka konsideruar tubimet si të paligjshme. Nuk kanë munguar përplasjet e forta me forcat e rendit që kanë ndaluar dhjetëra protestues. Ishte vetë Navalni që u kërkoi mbështetësve të dalin në rrugë duke e konsideruar arrestimin e tij të motivuar politikisht.

Protestat më të forta u mbajtën në Vladivostok ku qytetarët dolën në rrugë edhe pse temperaturat arrinin deri në minus 14 gradë. Sipas të dhënave nga mediat lokale 48 persona janë arrestuar në tubime.

Në Moskë, policia ngriti barrikada për të ndaluar grumbullimin e protestuesve në sheshe. Navalny e ka akuzuar Presidentin Vladimir Putin se urdhëroi vrasjen e tij me anë të një agjenti nervor të quajtur Noviçok.

Vetë Putin ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje. Edhe perëndimi ka kërkuar lirimin e Navalnit duke shtuar presionin ndaj Moskës. Bashkimi evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan që lideri i opozitës të lirohet.

Sipas Reuters pakënaqësia ndaj Putin ka ardhur në rritje në vend për shkak varfërisë dhe pandemisë, por ende shefi i Kremlinit gëzon një mbështetje në 60% të elektoratit.

Tv Klan