Protesta në Tiranë për Klodian Rashën, Policia: 18 të proceduar dhe 1 i arrestuar



Protesta në Tiranë për Klodian Rashën, Policia: 18 të proceduar dhe 1 i arrestuar

11:09 13/12/2020

Policia e Tiranës ka bërë bilancin e protestës të zhvilluar një natë më parë, ku qindra qytetarë tubuan në qendër të qytetit dhe kërkonin drejtësi për Klodian Rashën, i cili u vra nga një efektiv i “Shqiponjave”.

Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se për protestën janë proceduar 18 persona dhe është arrestuar një person pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi kanabisi.

“Gjithashtu është bërë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A.Sh (T)., 33 vjeç, pasi është identifikuar nga pamjet filmike si pjesëmarrës i protestës të datës 09.12.2020 dhe sërish pjesëmarrës i protestës të zhvilluar ditën e djeshme. Si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 18 shtetas”, theksohet në deklaratë.

Ndërkohë bëhet me dije se “si pasojë e dhunës me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të DVP Tiranë dhe punonjësve të Policisë të planizuar me shërbim për ruajtjen e këtij institucioni është dëmtuar në pjesën e syrit nga një kapsollë 1 punonjës policie”.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.

Protesta e zhvilluar një natë më parë ishte e katërta radhazi ku qytetarët kërkojnë drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha, që u vra nga një efektiv i “Shqiponjave”. Lidhur me këtë ngjarje ka dhënë dorëheqjen ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, por protestuesit kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Shtetit, Adri Veliu./tvklan.al






Të ngjashme