Opozita iu bashkua protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por kësaj radhe larg të qenit protagoniste e tubimit.

Mbërritja në shesh e kreut të demokratëve Lulzim Basha, irritoi trumën, duke shkaktuar tension mes mbështetësve të opozitës dhe protestuesve.

U desh ndërhyrja e regjisorit Robert Budina për të qetësuar situatën që për pak desh precipitoi në dhunë.

 “Ndaloni provokimet se është lojë e pushtetit. S’jemi këtu për asnjë parti, ata s’kanë ardhë për protagonizëm politik, qëllimi yne është zgjimi i vlerave të qytetarëve”.

Disa shashka të hedhura mes turmës e irrituan atë.

Artistët kërkuan hetim të shembjes së godinës, duke akuzuar Kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj.

Në mbyllje të saj, Lulzim Basha tha për mediat se një teatër modern në formën atij që u shemb, do të ndërtohej po në atë vend me ardhjen e demokratëve në pushtet.

Kryedemokrati tha se opozita do të vazhdojë t’i mbështesë protestat e aleancës për mbrojtjen e teatrit. Ndërsa ish-Kryeministri Berisha bëri thirrje për mosbindje civile.

“U bëj thirrje qytetarëve t’u japim përgjigjen e merituar. Këta janë banditë, nuk kanë Kushtetutë, familje. Këta meritojnë ndëshkimin. Duhet të bashkohemi të gjithë në mosbindje civile. Ky shtet nuk ekziston për qytetarët, qytetarët nuk kanë institucione, kanë vetëm guximin e tyre”.

Protesta e opozitës u mbikqyr nga 1000 efektivë policie dhe njësia e Antiterrorit, por ndërhyrja e tyre nuk u nevojit në asnjë rast.

Pas më shumë se dy orë tubim, artistët mbyllën protestën, për ta vijuar atë të mërkurën në orën 17:30.

Tv Klan