Rusia ka një problem të madh me plehrat. Trajtimi i mbetjeve është i pakujdesshëm, deponitë shtohen përditë, lëndët helmuese përfundojnë në tokë dhe në ujin e pijshëm. Gjithnjë e më shumë njerëz dalin në protesta.

“Rusia nuk është kazan plehrash”. Nën këtë moto mijëra vetë në 26 rajonet kryesore të Rusisë, demonstruan ditën e diel kundër politikës së Kremlinit për ambientin. Ata i kërkuan qeverisë që të respektojë ligjet që ka nxjerrë dhe të kujdeset për pastrimin e plehrave në përputhje me mbrojtjen e ambientit.

Njerëzit dolën në rrugë në Shën Petërsburg, Moskë, Jekaterinburg, Omsk, Krasnojarsk ose Jaroslavl dhe protestuan kundër politikës shtetërore të ambientit. Në Novosibirsk, demonstruesit kritikuan eliminimin jo siç duhet të mbetjeve në ndërtime, të ngarkuara me lëndë të dëmshme. Ata kërkojnë futjen ndarjes së plehrave sipas rregullit dhe siç duhet. Ata akuzuan zyrtarët lokalë se nuk respektojnë rendin dhe ligjin. Pjesa më e madhe e demonstruesve nuk presin që situata të përmirësohet. Por ata dolën në rrugë të protestojnë, megjithëse temperaturat ishin në minus 30 gradë.

Protesta për plehrat jo vetëm në Moskë

Në lagjen e Moskës, Taganka qindra mijëra vetë kërkuan para një ndërtese të autoriteteve pastrim më të mirë të mbetjeve. Policia arrestoi disa vetë. Demonstruesit kujtuan faktin që në muajin mars 50 fëmijë duhet të trajtoheshin në spital, sepse kishin thirrur ajër të ndotur me helme, që vinte nga një deponi plehrash. Edhe në atë kohë gati plasën protestat. „Ne kërkojmë dialog me autoritetet, por ata nuk flasin me ne”, thotë politikani lokal, Iliya Svridov. Ai është një nga organizatorët e demonstratave këtë të diel. „Ne duam të marrim frymë” shkruhet në pankartat e disa demonstruesve. Të tjerë kanë frikë se prej ndarjes jo si duhet të mbetjeve, në ujin e pijshëm përfundon dioksin.

Si dhe më parë Moska i pastron plehrat e veta në kurriz të qyteteve të tjera. Një pjesë dërgohet 1200 kilometra larg në veri, në qytetin Archangelsk. Edhe atje njerëzit dolën të demonstronin. E njëjta gjë vlen edhe për qytetin e vogël Koloma, rreth 100 kilometra në juglindje të Moskës.

Aktivistë të ambientit në shënjestër

Edhe atje pati të dielën protesta, megjithëse politikanët lokalë donin t’i pengonin. Ata ndaluan mitingjet publike. Qytetarët organizuan një zinxhir me makina midis qytetit. Të paktën 400 makina morën pjesë. Shumë prej pjesëmarrësve kishin marrë me vete flamuj të verdhë dhe të zinj, me të cilat protestohej kundër zgjerimit të deponive lokale të plehrave. Shërbimi sekret FSB donte të ndalonte edhe marshimin me makina. Ai kontrolloi ditën e enjte banesat e 15 aktivistëve dhe konfiskoi telefona, kompjutera, hard disqe dhe karta krediti. Vjatçeslav Egorov u arrestua. Një gjykatë e dënoi atë në fundjavë me dy muaj arrest shtëpie. Ai akuzohet se në mënyrë të përsëritur ka bashkëorganizuar demonstrata të palejuara. Egorov mban tani në këmbë pranga, nuk lejohet të telefonojë dhe të flasë me gazetarët. Ai ndalohet të shkojë në punë. Qytetarët e Kolomnas kanë hapur për të një numër llogarie për të mbledhur donacione.

Egorov është dënuar me arrest shtëpie

Aktivistja e njohur moskovite, Alla Frolova dënoi arrestin e shtëpisë për Egorovin. Ky është një dënim me motive politike, tha ajo për Deutsche Wellen. Frolova akuzoi se vetëm e shoqja e Egorovit dhe avokatja u lejuan në bërjen të ditur të dënimit, por asnjë vëzhgues i pavarur. Synimi i përndjekjes së aktivistëve në Kolomna është bërja presion mbi njerëzit, thotë Frolova.

Në pastrimin e plehrave në Rusi bëhet fjalë për shumë para. Protestat nuk do prishnin punë. Sipas mendimit të saj, dënimi i Vjatçeslav Egorovit bëhet për t’i mbyllur gojën. „Ata kanë frikë prej tij,” thotë ajo. Ajo kujton se aktivistët në Kolomna janë qytetarë të thjeshtë të qytetit. Ata nuk merren me politikë të madhe, por shqetësohen për shëndetin e fëmijëve. Si do përfundojë rasti i Egorovit nuk është e qartë. Në rastin më të mirë ai do lihet i lirë. Në rastin më të keq mund të dënohet me pesë vjet heqje lirie, thotë ajo. “Prandaj, le të luftojmë për lirimin e tij”./DW