“Palët të ulin tensionet”, Ambasada e Zvicrës në Shqipëri: Të shqetësuar për shkatërrimin e pronës private dhe publike
Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka reaguar për protesta që kanë përfshirë Shqipërinë prej shtatë ditësh, ndërsa ka shprehur shqetësimin e saj për dëmtimin e pronës publike dhe asaj private.
Ajo u ka kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.
Një thirrje direkte kishte edhe për forcat e sigurisë, të cilave u kërkoi të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Reagimi i plotë:
Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike.
U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Protestuesit sulmojnë dhunshëm Gjykatën e Apelit, kthejnë gjithçka përmbys
Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, protestuesit kanë sulmuar Gjykatën e Apelit me Jurdiksion të Përgjithshëm në Tiranë.
Ata kanë thyer xhamat e dyerve dhe kanë rrëzuar gjithçka në tokë.
Hidhet ujë dhe gaz lotsjellës, tensione mes protestuesve dhe Policisë
Protestuesit kanë ngritur barrikada në rrugë për të penguar avancimi e autobotëve me ujë dhe efektivëve të policisë.
Kaq ka mjaftuar, që Policia e Shtetit të veprojë me gaz dhe ujë me presion.
“Nuk do jeni vetëm”, Hita letër efektivëve: Asnjë sulm ndaj jush nuk do tolerohet
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Hita, u ka dërguar një mesazh mbështetës efektivëve të policisë, të cilët prej shtatë ditësh po përballen me situata të vështira dhe akte dhune gjatë protestave.
Në letrën e tij, Hita shpreh mirënjohjen dhe respektin për punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në krye të detyrës. Ai thekson se shumë efektivë janë lënduar gjatë këtyre përballjeve dhe u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur. Lexo më shumë
“Distancohuni nga dhuna”, Rama-protestuesve: Bujrum në dialog. Ku dhe kur të doni, pa kushte
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje protestuesve për dialog, duke theksuar se është i gatshëm të takohet me ta në çdo kohë dhe vend që ata dëshirojnë, pa kushte.
Përmes një postimi, Rama i ka ftuar protestuesit të japin shembullin e dialogut dhe të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore. Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje gjithashtu që të distancohen qartë nga dhuna, hedhja e gurëve dhe zjarrvënia ndaj institucioneve.
Kreu i qeverisë ka theksuar se e drejta për protestë paqësore duhet respektuar dhe se jeta dhe dinjiteti i çdo personi duhen mbrojtur. “Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”, përfundon Rama mesazhin e tij drejtuar protestuesve.
Postimi i kryeministrit Rama
Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty
E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore
Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore – nga dhunuesit në krye të protestës!
Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi – nga dhuna dhe manipulimi!
Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit
Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte
Ministrja e Shëndetësisë: Trauma po përballon një fluks të shtuar të të lënduarve
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka deklaruar se Spitali Universitar i Traumës po përballon prej disa ditësh një fluks të shtuar të personave të lënduar, duke falënderuar ekipet mjekësore për angazhimin dhe gatishmërinë e tyre.
Në një mesazh nga Spitali i Traumës , Spahiu vlerësoi punën e ekipeve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës dhe personelit shëndetësor në të gjithë vendin, të cilët vijojnë të ofrojnë ndihmë për çdo person që ka nevojë për kujdes mjekësor.
Ministrja u bëri thirrje prindërve, kujdestarëve dhe punonjësve socialë që të komunikojnë me fëmijët dhe të rinjtë, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të kujdesen për sigurinë e tyre, duke theksuar se e drejta për të shprehur mendimin duhet të shoqërohet edhe me mbrojtje dhe mbështetje.
Deklarata e ministres së Shëndetësisë:
Prej disa ditësh, Spitali Universitar i Traumës po përballon një fluks të shtuar të të lënduarve. Në këto momente të vështira, dua të falënderoj nga zemra ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, stafet shëndetësore në të gjithë vendin, për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre, pa ndërprerje, për t’i ardhur në ndihmë çdo personi që ka pasur nevojë për kujdes.
U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë.
Asnjë nuk duhet të mbetet i pambrojtur në situata që rrezikojnë sigurinë e tij. Shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë. Por përgjegjësia për t’i mbrojtur është e përbashkët.
Një shqetësim tjetër është përhapja e lajmeve të rreme dhe e pamjeve të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit. Ju ftoj të verifikoni informacionin përpara se ta shpërndani dhe t’u referoheni burimeve zyrtare. Në momente të tilla, informacioni i përgjegjshëm është thelbësor për të mos shtuar frikën dhe tensionin.
Dua t’i siguroj qytetarët se strukturat shëndetësore dhe sociale vijojnë detyrën e tyre, duke ofruar kujdes dhe mbështetje për këdo që ka nevojë.
E di që këto ditë janë të vështira. Por siguria e fëmijëve, shëndeti dhe jeta e çdo qytetari duhet të jenë mbi çdo ndarje dhe kundërshti.
Le t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet që mund të parandalojmë. Le të mos lejojmë që frika, zemërimi apo informacioni i pavërtetë të na largojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj tyre. T’i dëgjojmë. T’i kuptojmë. T’i mbrojmë. Fëmijët janë të parët!
Ministri Demo: Protesta është e drejtë demokratike, por dhuna nuk tolerohet
Ministri Demo ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta.
Ai deklaroi se Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë zhvillimin paqësor të protestave dhe sigurinë e qytetarëve. Sipas ministrit, ndërhyrja e policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe në përputhje me ligjin, duke respektuar parimin e proporcionalitetit.
Demo nënvizoi se qeveria mbetet e gatshme për dialog me protestuesit, ndërsa dhuna nuk mund të zëvendësojë komunikimin dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale dhe se çdo person që shkel ligjin do të përballet me pasojat përkatëse.
Delegacioni i Parlamentit Evropian: Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të protestave
Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për vendin tonë kanë shprehur shqetësimin e thellë për protestat.
Ata dënuan përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje.
Njëkohësisht, delegacioni ka shprehur shqetësim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore dhe kërkuan hetimin e çdo rasti dhune për të përcaktuar përgjegjësitë individuale (Lexo më shumë)…
Protesta| 31 të lënduar në Spitalin e Traumës, 5 të tjerë në QSUT
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar informacionin mbi personat e lënduar gjatë protestës, deri më 19 tetor 2026, ora 11:30.
Në Spitalin Universitar të Traumës, gjatë ditës së djeshme, morën ndihmë mjekësore 31 persona, mes tyre 21 efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Aktualisht, në këtë spital ndodhen dy protestues që po kryejnë ekzaminime dhe konsulta mjekësore.
Nga 13 tetori e në vijim, numri i personave të shtruar që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet e mirë. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u paraqitën pesë të lënduar të tjerë, dy efektivë policie dhe tre protestues.
Rama zbret në terren, porosi efektivëve: Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë që protestojnë
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga takimi me efektivët e policisë në terren, në një kohë kur protestat vijojnë prej disa ditësh.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shprehu respekt efektivëve, duke vlerësuar përballimin e situatës gjatë protestave, të cilat sipas tij janë shoqëruar me sulme me gurë dhe zjarr.
““Respekt dhe po, jeni më të mirët në këto ditë agresioni me gurë e me zjarr mbi ëndrrën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë që protestojnë. Forcë me gurëhedhësit dhe zjarrvënësit e maskuar”, shkruan Rama..
Rama u bëri thirrje efektivëve të tregojnë durim dhe vetëpërmbajtje ndaj të rinjve që protestojnë, ndërsa kërkoi reagim të vendosur ndaj personave që hedhin gurë dhe u vënë zjarrin objekteve.












Botërori 2026 