Të inspiruar nga protestat studentore në Shqipëri, studentët nga Maqedonia kanë vendosur të ngrejnë zërin e tyre. Të enjten në Tetovë është formuar grupi iniciativ për organizimin e protestave studentore. Ky grup ka përpiluar edhe kërkesa, për realizimin e të cilëve edhe do të protestohet.

Fillimi i protestave është paralajmëruar për të martën më 18 Dhjetor në ora 12:30. Vendtakimi do të jetë sheshi i Tetovës, prej ku, siç njoftohet studentët planifikojnë ta fillojnë luftën e tyre.

Sic thuhet në paralajmërimin e protestës, i publikuar në kuadër të ngjarjes në Facebook me titull “Protesto me studentët” ata nuk planifikojnë që dimrin ta kalojnë në gjumë. Në paralajmërim, mes tjerash bëjnë thirrje që të bojkotohen ligjëratat dhe të protestohet për ardhmërinë e studentëve.

Në një njoftim të publikuar në faqen e Facebook-ut nga të ashtuquajturit ‘studentët e revoltuar”, studentët njoftojnë se kërkesat janë dërguar në Ministrinë e Arsimit, udhëheqësitë e universiteteve dhe qeverisë.

Në foton ku shkruan se

“ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë”

, përmenden 14 kërkesa të studentëve mes të cilëve; të ndalet kushtëzimi për blerjen e librave me nënshkrim nga ana e profesorëve, heqjen e pagesës prej 50 Euro praktikës tetë javore, uljen e tarifave për studentët e huaj, përmirësimi i kushteve në laboratoret dhe klasat mësimore, kontrollin e titujve akademikë dhe verifikimin e plagjiaturave, departizimi i universiteteve, dhënia fund e diskriminimit të studenteve dhe kushtëzimi i tyre me akte të pahijshme në zëvendësim të notës e të tjera.

Këta studentë ju kanë bërë thirrje edhe studentëve maqedonas, që nëse ballafaqohen me probleme të këtilla, t’ju bashkohen protestave. Ndryshe, emrat e organizatorëve kryesor të protestave tani për tani nuk dihen.

Tv Klan