Kriza ekonomike, shkak i manifestimeve

Kjo protestë e zhvilluar këtë fundjavë në Beirut konsiderohet si më e dhunshmja e valës së manifestimeve popullore kundër krizës së rëndë ekonomike që ka përfshirë Libanin.

Mbi 400 persona u plagosën gjatë protestave të orëve të fundit, teksa policia përdori gazin lotsjellës dhe topat me ujë për të penguar zhvillimin e manifestimit në sheshin e Martirëve, simbol i këtyre protestave.

Këtë fundjavë, protestuesit u mblodhën nga pika të ndryshme të qytetit dhe marshuan drejt qendrës ku ndodhet edhe ndërtesa e Parlamentit. Manifestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknokratësh për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike ku është përfshirë prej më shumë se një viti. Protestat e nisura prej Tetorit çuan në dorëheqjen e Kryeministrit Saad Hariri.

Ndër kërkesat specifike është hetimi i llogarive bankare të politikanëve jashtë vendit. Protestuesit kërkojnë që partitë politike të mos përfshihen në krijimin e qeverisë së re, pasi i shohin si shkaktarë të krizës. Sipas Bankës Botërore, aktualisht 1 në 3 persona konsiderohen të varfër, por tendenca është që kjo shifër të shkojë në 50%.

Tv Klan