Kundërshtohet kryepeshkopi i ri i emëruar nga Kisha Ortodokse serbe

Protesta të dhunshme shoqëruan kurorëzimin e Joanikijes së Dytë, si kryepeshkop i Malit të Zi, i emëruar nga Kisha Ortodokse e Serbisë. Qindra protestues bllokuan me barrikada dhe dogjën goma në rrugën nga Podgorica drejt Çetinjës, ku ndodhet edhe selia e Kishës Ortodokse malazeze, duke penguar kalimin e autokolonës me kryepeshkopin e ri që shoqërohej edhe nga patriarku serb Porfirije. Përleshje pati edhe përbrenda qytetit, ku policia përdori gazin lotsjellës.

Protesutesit, mes të cilëve edhe presidenti Milo Gjukanoviç dhe ish-presidenti Filip Vujanoviç, kërkojnë që Kisha e Malit të Zi të shkëputet nga varësia e Patriarkatit të Serbisë. Manifestuesit, shumica besimtarë ortodoksë, e akuzojnë kishën serbe dhe ish-kryepeshkopin malazez Amfilohije që ndërroi jetë nga COVID-19 vitin e kaluar, si mbështetës të masakrave të ushtrisë serbe gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ndaj dhe akuzojnë klerin serb si fashist.

Kryepeshkopi Joanikije i Dytë u kurorëzua në një meshë të mbajtur në orët e para të mëngjesit të kësaj të Diele, pasi mbërriti me helikopter në Çetinjë, nën mbrojtjen e ekipeve speciale të policisë. Kryeministri Zdravko Krivokapiç, që mbështetet nga kisha ortodokse serbe, akuzoi kundërshtarin politik, presidentin Gjukanoviç si organizator të trazirave. Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Europian u bënë thirrje palëve të ulin tensionet politike.

Tv Klan