Shkak vrasja e një personi me ngjyrë nga policia

Guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, ka vendosur të dërgojë në Minneapolis forcat e Gardës Kombëtare pas përplasjeve të forta për shkak të vdekjes së një personi me ngjyrë.

George Floyd, 46 vjeç, humbi jetën të hënën dhe në një video ai shfaqet në momentet e fundit teksa kërkon të marrë frymë ndërsa një polic nuk ia heq gjurin nga fyti.

Në Minneapolis protestat u zhvilluan për të tretën natë rresht. Raportohet se një stacioni policie iu vu flaka. Sipas BBC, bëhet fjalë për stacionin ku punonin oficerët e përfshirë në vrasjen e George Floyd.

Të mërkurën, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, ndërsa shumë biznese u grabitën. Protesta për shkak të kësaj ngjarje kanë nisur edhe në Chicago, Los Angeles dhe Memphis.

Guvrnatori aktivizoi trupat e gardës kombëtare me kërkesë të kryebashkiakut të Minneapolis. Ai tha se grabitjet, vandalizmi dhe sulmet me armë një natë më herët, kanë shkatërruar shumë biznese./tvklan.al