Trazira të forta janë shënuar në Stamboll pas vendimit të gjykatës turke për kontrollimin e gazetës “Zaman”, më e madhja në vend.

Protestuesit u rreshtuan pranë selisë së gazetës në mbrojtje të fjalës së lirë, ndërsa policia bastisi ndërtesën duke nxjerrë jashtë me forcë persona të stafit. Forcat e rendit përdorën ujin me presion dhe gazin lotsjellës për të zprapsur turmën.

Të premten gjykata vendosi që “Zaman” të merret në kontroll nga shteti, pa dhënë asnjë shpjegim tjetër. Gazeta është e lidhur me lëvizjen “Hizmet”, që cilësohet nga autoritetet turke si grup terrorist. Dhjetra mbështetës të saj u arrestuan.

“Hizmet” është nën influencën e klerikut Fetullah Gylen, armik i betuar i presidentit Erdoan. Qeveria turke është vënë edhe më parë në qendër të kritikave ndërkombëtare për sjelljen ndaj shtypit, ndërsa dhjetra gazetarë janë vënë në pranga për shkak të detyrës.

Tv Klan