Një pjesë e banorëve që preken nga ndërtimi i lagjes së re tek 5 maji kanë protestuar kundër shembjes së banesave.  Në mbështetje të banorëve ishin edhe përfaqësues të partisë demokratike.

“Që nga 2013-a, ne kemi parë shtetin e Edi Ramës që vetëm shkatërron. Shkatërron shtëpitë e qytetarëve, i nxjerr jashtë. Shkatërron rrugët, shkatërron gjithçka vetëm për të ndërtuar për vete. Kemi ardhur këtu me kërkesën e banorëve nga komisioni i ligjeve, jo vetëm për të qenë krah qytetarëve, por edhe për të parë dokumentacionin për kallëzimet që do të bëjnë qytetarët. Për t’iu drejtuar SPAK-ut për rindërtimin në përgjithësi, por dhe për rastin e 5 Majit. Është një rast abuziv”.

Për protestën e një pjesë të banorëve tek ‘5 maji’ reagoi edhe kryebahskiaku Erion Veliaj.

“Ne nuk mund të kemi sot hapësira, qoftë edhe tek Bregu i Lumit, që të zaptohen nga të fortët që thonë: Nuk dua të bëhet rruga, nuk dua të bëhen pallatet për tërmetin, sepse i kam zënë unë. ‘Vëllezërit Marku/OFL’, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policisë, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut?”

Veliaj u tregua i vendosur për ndërtimin e lagjes së re në kryeqytet.

“Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton axhendën e qytetit. Axhendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”.

Sipas bashkisë së Tiranës, banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100% për pronën e tyre.  Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për 11 mijë banorë, me apartamente , njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe dhe godina institucionesh.

Tv Klan