Protestat e mëdha popullore kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i quajti “vandalizma dhe terror rruge” para të cilave tha se nuk do të dorëzohet.

“Nuk do të lejojmë prishjen e rendit publik. Nuk do të lejojmë që një grup banditësh brenda Partisë Republikane t’i shndërrojnë problemet e tyre në probleme kombëtare”, tha ai.

Deklaratat i bëri në një fjalim para mbështetësve në Stamboll me rastin e muajit të Ramazanit dhe festës së Novruzit. Republikanët në opozitë nuk i ndalën protestat as në natën e tretë pas arrestimit mëngjesin e të mërkurës të Ekrem Imamoglusë, i cili në fundjavë pritej të shpallej kandidat i tyre për president të vendit në zgjedhjet e 2028-ës.

Lideri i republikanëve Ozgur Ozel u bëri thirrje protestuesve të rrëzojnë çdo barrierë të ngritur nga policia në Stamboll, Ankara e qytete të tjera.

Autoritetet kanë vendosur ndalimin e tubimeve për 4 ditë që prej të mërkurës. Një urdhër i tillë bëri që protestuesit të përlesheshin me policinë një natë më parë në Ankara e Izmir, pasi forcat e rendit u përpoqën ti shpërndanin në zbatim të urdhrit. Gjatë përleshjeve pati gati 60 të arrestuar.

Imamoglu u arrestua mes 100 personave të tjerë të mërkurën me akuzat për korrupsion me tenderat publikë, por opozita thotë se arrestimi ishte për arsye politike pasi rrezikon pushtetin absolut të presidentit Erdogan.

Tv Klan