Opozita proteston sërish, në Parlament betohen deputetët e rinj

Opozita proteston sërish, në Parlament betohen deputetët e rinj

11:05 05/03/2019

Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare protestuan sot rreth 3 orë përpara Parlamentit gjatë kohës që zhvillohej seanca plenare. Ndërkohë, në Parlament u betuan 4 deputetë të rinj nga radhët e LSI, që pranuan të merrnin mandatin e deputetit.

Ora 13:15 – Lulzim Basha: Populli i bashkuar ka përfunduar etapën e asgjësimit të asamblesë së krimit. Shumë prej jush prej më shumë se 6 orë e keni çuar njëherë e mirë në shtëpi Parlamentin e krimit dhe e keni hapur përfundimisht shtegun e vetëm përmes së cilës do kaloje e ardhmja e çdo shqiptari. Zgjidhja e vetme është largimi i një orë e më parë e Edi Ramës. Ka marrë fund regjimi i Edi Ramës, sado të përpiqet ta zgjasë agoninë aq më shumë do i shtohet makthi. Dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve në një tjetër akt vendimtar të hapjes së portave të zgjedhjeve të parakohshme, pa Edi Ramën në një javë tjetër që do të na bashkojë më shumë 16 Mars në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike, për të shpëtuar të ardhmen tonë, madje dhe për të çliruar Partinë Socialistë. Dua të falenderoj ato burra dhe gra që dorëzuan sot mandatet tek KQZ. Dua t’i drejtohen çdo babai, nënë dhe prindi se askush nuk do na ndalojë.

Ora 13:05 – Protestuesit mbërrijnë në selinë e Partisë Demokratike për përmbylljen e protestës.

Ora 12:38 – Lulzim Basha dhe protestuesit i drejtohen Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të dorëzuar refuzimin e mandatit nga kandidatët për deputetë.

Ora 12:22 – Lulzim Basha: Zëri juaj tashmë është dëgjuar, 10 ditë më parë opozita ju përgjigj diktatit të sovranit dhe unë kam sot nderin që në emrin e popullit të shpreh mirënjohjen time dhe të falenderoj nga zemra ata qindra patriotë, kandidatë të listës fituese, që djegin sot mandatin e tyre. Kjo është beteja për Shqipërinë e vlerave. Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia, nuk ka integrim me korrupsionin në nivelet më të larta, nuk hapen dyert e Europës për hajdutët dhe kryehajdutin Edi Rama. Nuk e hap dot derën e Europës. Vetëm drejtësiua e çliruar nga kjo bandë, vetëm ndarja dhe balancimi ipushteteve, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Europës. Ndaj imagjinoni një Shqipëri me qeveritarë të palidhur me krimin, me njerëz që vijnë në pushtet normalisht, qeverisin normalisht, nuk sillen me arrogancë, nuk ju dhunojnë, nuk ju vjedhin, dhe kur gabojnë shkojnë para drejtësisë. Imagjinoni një Shqipëri që paratë e taksave tuaja shkojnë për të rritur rrogat, pensionet. Imagjinoni një qeveri e cila nuk e ka Europën vetëm në majë të gojës, por veprimtarinë e saj të përditshme që nuk i përzë shqiptarët. Jemi të vendosur për këtë mision. Nuk ka bandit dhe trafikant të na ndajë në këtë rrugë. Më 16 Mars, populli sovran edhe më i vendosur se kurrë më parë do të marrë në dorë fatin e tij. Ne do t’i tregojmë botës se hajduti nuk është zot në shtëpinë tuaj. Kthimi i kësaj godine në një karantinë të krimit të rrethuar me tela me gjemba, shpellja de facto antikushtetuese e një regjimi të jashtëzakonshëm ushtarak është shenja e shembjes totale të sistemit kriminal të Edi Ramës. Sa për Edi Ramën, edhe sot si çdo herë tjetër ia ka mbathur të shpërndajë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij në ekranin e Italisë fqinje. Të paktën kështu thotë. Por burime mike thonë që ka shkuar të negociojë azilin politik në Itali.

Ora 12:13 – Monika Kryemadhi: Shërbëtorët e trafikut të drogës sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë që ne do të lodhemi. Sot asnjë nga ne nuk përfaqëson parti politike. Sot dua t’ju them diçka. Rama ka dështuar. Rama dështoi me politikat e tij, dështoi me vendet e reja të punës. Rama dështoi me taksat e larta, Rama dështoi me policinë. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tua ka dy arsye. Një ose je kriminel dhe vrasës, dhe tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Nuk mund të lejojmë Edi Ramën që të varfërojë shqiptarët dhe t’i detyrojë ata të largohen nga Shqipëria. Ka më shumë se 3 muaj që banorët e Unazës së Re kanë denoncuar një falsifikim, kanë denoncuar një vjedhje si ajo që ka bërë “DH Albania” e cila vodhi 18 milionë Euro. Kam dëshirë të dëgjoj Prokurorinë Shqiptare ku është me falsifikuesin e firmës. Çfarë po bën prokuroria me Damian Gjiknurin, çfarë po bën prokuroria me Arben Ahmetajn që bilbilos sot në Parlament si nuse e bukur me paratë që ka vjedhur. Ne do të jemi çdo seancë parlamentare këtu, do të shkojmë ku të shkojnë këta. As plumbat nuk kanë për t’i ndaluar qytetarët, ashtu siç nuk i ndaluan në ’90, ashtu siç nuk i ndaluan në ’97, as tani nuk do t’i ndalojnë sepse e drejta është me ne.

Ora 11:31 – Fatmir Mediu: Unë dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata të rinj dhe të reja që nuk bëhen pjesë e fasadës së krimit dhe drogës, por dorëzoi mandatet. Mbi çdo interes politik kemi vendosur interesin e Shqipërisë. Ne asnjëherë nuk mund të dorëzohemi as përballë Edi Ramës, as përballë parcelave të drogës. Qëllimi ynë është ta bëjmë Shqipërinë Europiane. Në gjithë këto vite jemi përpjekur për të bërë më të mirën. Më shumë se 6 vjet, Europa është bërë një ëndërr e largët që po largohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët.

Ora 11:27 – Kiri Hajdari: Amaneti i Azem Hajdarit qëndron tek ju dhe gjithë demokratët shqiptarë.

Ora 11:06 – Katër deputetët e rinj të opozitës betohen në Parlament. Ata janë Ylli Shehu, Edmond Rrushi, Aurora Mara dhe Enver Roshi, nga radhët e LSI. Ndërkohë, jashtë Parlamentit vazhdojnë fjalimet e njëpasnjëshme të kandidatëve që kanë qenë në listat e deputetëve, por që nuk pranuan mandatin.

Ora 10:02 – Rama në Twitter: Në Itali 24 orë për të mbrojtur Shqipërinë,pas cënimit të rëndë ndërkombëtar nga shfaqja e turpshme e dhunës partiake të 16 Shkurtit e në vazhdim,që kërcënon investitorët e planet e tyre dhe turizmin që punëson e ushqen dhjetëramijëra njerëz.

Ora 10:36 – Kryeministri Edi Rama largohet nga Parlamenti.

Ora 10:33 – Kryeopozitari Lulzim Basha u bashkohet protestuesve përpara Parlamentit.

Ora 10:32 – Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ndërpret 30 minuta seancën, mblidhet komisioni për mandatin e deputetëve të rinj.

Ora 10:08 – Edi Rama: Nuk është një protestë popullore, por një reagim brenda pallatit të politikës. Ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i opozitës si rezultat i humbjes së shikimit mbi vetveten dhe Shqipërisë. Jemi në kushtet e një seriali të njohur. Nuk besoj se për ju që jeni këtu është e vështirë t’i bëni thirrje kujtesës për situatën, e dy viteve më parë në këtë periudhë ku ishin në çadër, ku nisën një rrugëtim për të ndërtuar një Republikë të Re me kushtin e panegociueshëm, për një qeveri pa Edi Ramën kryeministër, tranzitore, sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament. E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit, mbi interesin politik dhe bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve në Shqipëri, duke i vënë në dispozicion opozitës gjithçka kërkoi. Morën Ministrinë e Brendshme, të gjitha Ministritë që kërkuan me idenë që këto Ministri ishin Ministri elektorale dhe PS mund t’i përdortë për qëllime elektorale. Morën për herë të parë kryetarin e KQZ, e dini shumë mirë sesa luftëra janë bërë dhe kishin shumicën në Komisionet Zgjedhore. Mandati ynë nuk është letër bixhozi, ne nuk luajmë bixhoz siç luajnë ata pas të cilëve qëndrojë grupe interesash që janë mundur. Ata s’kanë asnjë shans asnjehërë të bëhen shumicë, aq më tepër sot kur shumica jonë është kompakte dhe e vendosur. Opozitën nuk e zgjedhim, por mbase kjo e gjitha është një e keqe e madhe. Është koha që mbase shqiptarët të shikojnë se ata nuk janë e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje, ka të tjerë. Ka të tjerë që kanë ardhur sot, do vazhdojnë të vijnë, aq sa të vijnë, ka të tjerë që janë jashtë këtyre mureve. Ne nga ana jonë duhet të vazhdojmë drejt pa harruar që në axhendën tonë ka punë për të bërë. Dhe padyshim ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim.

Ora 10:00 – Nis protesta e opozitës, qytetarët mblidhen para Parlamentit.

***

Opozita e bashkuar proteston sot përpara Parlamentit në të njëjtën kohë që zhvillohet seanca plenare. Në pedonalen para godinës së sallës plenare dhe në rrugët lidhëse janë vendosur forca të shumta policore. Pedonalja është e mbyllur dhe nuk lejohet kalimi i personave të tjerë. Një kordon policor ka bllokuar kalimin në këtë rrugicë që lidhet me Parlamentin. Efektivë të shumtë, rreth 1 mijë të tillë, kanë marrë masa për të mos lejuar protestuesit që të afrohen në sheshin përpar Parlamentit.

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS, Ministrisë së Brendshme iu kërkua që të garantohej siguria fizike e deputetëve për të shmangur incidentet që ndodhën në protestën e kaluar, kur disa deputetë e ministra nuk u lejuan nga protestuesit që të kalonin.

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi se nuk i ka dhënë leje opozitës për të protestuar përpara Parlamentit, megjithatë autoritetet kanë marrë masa shtesë. Të hënën, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin se masat e marra para Parlamentit janë si regjim ushtarak.

/tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT