Në protestë për arsimin e lartë kanë dalë edhe studentëve të rretheve. Në Elbasan, studentëve që kanë dalë në rrugë u janë bashkuar edhe nxënës të gjimnazit. Ata bojkotuan mësimin që në orën 08:00 dhe janë solidarizuar me studentët.

Sipas njoftimit të Këshillit Studentor, protestuesit e Elbasanit sot do t’i bashkangjiten protestës së madhe në Tiranë përpara Ministrisë së Arsimit së bashku me studentët e tjerë.

Edhe në Korçë, numri i protestuesve është shtuar këtë të martë. Që në orën 08:00 të mëngjesit, ata u grumbulluan para Korpusit Universitar. Në këtë protestë janë bashkuar edhe nxënësit e dy gjimnazeve “Raqi Qirinxhi” dhe “Themistokli Germenji”. Në tubim pritet të marrin pjesë edhe qytetarë të Korçës. Një ditë më parë, Këshilli Studentor njoftoi se do të protestohet deri në fund për plotësimin e kërkesave të tyre.

Edhe në Gjirokastër, studentët janë solidarizuar me protestën e nisur në Tiranë dhe kanë dalë në rrugë duke marshuar.

Sot pritet të mbahet protesta më masive e studentëve që vazhdon prej një jave. Në Tiranë, studentët u mblodhën fillimisht përpara Fakulteteve përkatëse dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë plotësimin pa kushte të 8 kërkesave të tyre dhe i kanë lënë afat qeverisë deri sot në orën 16:00, në të kundërt kanë paralajmëruar se protesta do të përshkallëzojë.

 

 

/tvklan.al