Mijëra qytetarë të Tiranës kanë dalë sot në protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv i forcave Shqiponja.

Protesta nisi e qetë tek Ministria e Brendshme, ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj. Ata kanë bërë thirrje “Poshtë diktatura”, “Unë jam Klodiani”, “Drejtësi për Klodianin”, “Lleshaj dorëhiqu” etj.

Qytetarët po ashtu janë përplasur me efektivët e policisë të cilët kishin krijuar një kordon për të mbrojtur godinën e Ministrisë së Brendshme. Nga përplasjet ka mbetur i plagosur një efektiv, një qytetar dhe një gazetar.

Më pas protesta ka vijuar e qetë dhe qytetarët janë drejtuar për tek Kryeministria, por dhe aty ka pasur disa përplasje me efektivët. Qytetarët kanë qëlluar me sende të forta drejt godinës dhe kanë shkatërruar bredhin e festave të vendosur në oborrin e godinës.

Edhe pse reshjet e shiut kanë qenë të dendura në asnjë moment turma nuk është shpërndarë, por janë shprehur se do qëndrojnë në shesh deri kur të vendoset drejtësia për Klodian Rashën

Protesta është organizuar në mediat sociale, ku qytetarë të ndryshëm kanë kërkuar reagim për vrasjen e të riut nga policia. Klodian Rasha u vra nga një efektiv i policisë, në orët e para të mëngjesit të së martës, ku u qëllua nga efektivi N.H 2 herë me armën e shërbimit dhe plumbat e kapën në shpinë dhe në kokë. /tvklan.al