Përfaqësues të shoqërisë civile ishin që në mëngjes për të rrëzuar rrethimin në vendin ku Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një park lojrash. Aktivistët shkulën kunjat e drunjve dhe grisën rrjetat.

Ata kundërshtojnë shndërrimin e kësaj hapësire 400 metër katror në hyrje të kodrave të Liqenit Artificial nga ana e digës, në një park argëtimi.

Pasi e prishën rrethimin, ata iu drejtuan Prokurorisë së Tiranës ku dorëzuan një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për prerje të paligjshme të drurëve dhe shkatërrim të pasurisë publike.

Me largimin e aktivistëve të shoqërisë civile, punonjësit e bashkisë e ringriten rrethimin.

Pas një ore u rirrëzua këtë herë nga një grup banorësh dhe këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Në të njëjtën linjë me shoqërinë civile edhe të djathtët po përgatisin kallëzimet e tyre penale ndaj Erion Veliajt, për prerje të paligjshme të pemëve dhe shpërdorim detyre.

Akuzave të të djathtëve i është përgjigjur nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku.

Pas mbjelljes së 15 fidanëve bliri nga banorët dhe këshilltarët e djathtë, punëtorët e bashkise ringritën gardhin për të dytën herë.

Tv Klan