Tension i lartë në protestën e opozitës së bashkuar në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para godinës së Kryeministrisë. Pas një përplasje të shkurtër me policinë, protestuesit arritën të thyejnë kordonin dhe arritën tek dera e Kryeministrisë.

Sipas Partisë Demokratike kjo ishte pjesë e skenarit të përgatitur nga policia për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe të hedhur gaz lotsjellës.

Protestuesit hodhën shashka e molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke thyer edhe një prej xhamave të derës së godinës me hekurat që ishin vendosur tek hyrja e godinës. Nga brenda Kryeministrisë efektivët e policisë hodhën ujë në drejtim të protestuesve për t’i larguar nga hyrja e saj. Policia përdori gjithashtu gaz lotsjellës.

Disa persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe efektivë të policisë. Ndërkohë që edhe liderët e opozitës kanë mbuluar fytyrat me shami për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës.

/tvklan.al