Protestuesit e dhunshëm kundër reformës së pensioneve në Francë, dogjën kafenenë e preferuar të presidentit Macron në Paris. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë protestuesit që hyjnë në La Rotonde dhe i venë flakën kafenesë së famshme të frekuentuar nga figura historike, përfshirë artistin spanjoll Pablo Picasso.

Pre e sulmit ranë edhe zyrat BlackRock në Paris, kompanisë me më shumë asete në gjithë botën. Protestuesit mësynë edhe në aeroportin Charles de Gaulle në kryeqytet. Manifestime të dhunshme pati edhe në Renë, Marsejë, Bordo, Lion e shumë qytete të tjera.

Krerët e sindikatave thanë se zemërimi i publikut ndaj reformave të pensioneve të presidentit Macron është shndërruar në një lëvizje më të gjerë punëtorësh të zemëruar për pagat dhe kushtet e tjera të punës.

Macron nuk tërhiqej nga reformat e diskutueshme që rrit moshën e daljes në pension nga 62 në 64. Bisedimet midis drejtuesve të sindikatave dhe kryeministres Elisabeth Borne janë ndërprerë. Sindikatat kanë bërë thirrje për greva dhe protesta të reja në 13 prill një ditë para vendimit për reformën nga Këshilli Kushtetues.

Tv Klan