Protestuesit kërkojnë fundin e regjimit 30-vjeçar të Presidentit

Protestuesit kërkojnë fundin e regjimit 30-vjeçar të Presidentit

11:10 25/02/2019

Më shumë se 10 mijë protestues marshuan të dielën në Podgoricë të Malit të Zi duke kërkuar fundin e udhëheqjes 30-vjeçare të Presidentit Milo Gjykanoviç.

Euroneës raporton se kjo ishte protesta e tretë në të cilën kërkohet dorëheqja e Presidentit. Protesta po ashtu kishte në fokus edhe transmetuesin shtetëror “Radio Televizija Crne Gore”. Protestuesit u mblodhën para selisë së televizionit në orën 19:30, që përkon edhe me nisjen e edicionit kryesor të lajmeve.

Protestuesit, shumica e të cilëve pa lidhje politike, por që tashmë gëzojnë mbështetjen e opozitës, kërkuan dorëheqjen e Presidentit Gjykanoviç, kryeministrit Dushko Markoviç dhe Kryeprokurorit Ivica Stankoviç.

Gjykanoviç është lideri më jetëgjatë në Europë. 57-vjeçari është në pushtet prej pothuajse tri dekadash.  Ai ka shërbyer si kryeministër i Malit të Zi prej vitit 1991 deri në vitin 1998 kur u zgjodh President dhe shërbeu deri në vitin 2002. Në vitin 2003 ai u rizgjodh kryeministër për të vazhduar me shumë qeveri deri në vitin 2016. Në Maj të vitit 2018 Gjykanoviç u rizgjodh President. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT