Protestuesit në Bjellorusi që kanë dalë në rrugë prej disa ditësh, janë mbledhur përpara televizionit shtetëror, duke kërkuar që të pasqyrojë plotësisht protestën e tyre kundër zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale. Mbështetësit e opozitës mbanin në duar pankarta ku shkruhej “tregojuni njerëzve të vërtetën”.

Protestat masive në Minsk të Bjellorusisë shpërthyen pasi Presidenti Alexander Lukashenko pretendoi se kishte korrur një fitore dërrmuese në zgjedhjet e 9 Gushtit. Në ditët e para të protestës, televizioni shtetëror nuk raportoi asgjë të tillë dhe nuk mbuloi me transmetim revoltën e qytetarëve.

Pas disa ditësh, televizioni shtetëror filloi të transmetonte protestën, por duke akuzuar protestuesit për dhunë dhe paralajmëruar qytetarët që të mos merrnin pjesë në demonstrata. Disa gazetarë të këtij televizioni kanë dhënë dorëheqjen pasi nuk ishin dakord me mënyrën se si u mbulua protesta. Të premten, ministrat e Jashtëm të BE ranë dakord që të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë që kanë falsifikuar zgjedhjet. Edhe SHBA i ka cilësuar këto zgjedhje si jo demokratike. Sot, 3 shtete baltike kërkuan që zgjedhjet presidenciale të mbahen sërish.

Kontestimet e opozitës, por dhe të protestuesve, kanë të bëjnë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, rezultati i të cilave dyshohet se është manipuluar. Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Bjellorusi, Lukashenko fitoi me 80.1% të votave përballë kandidates së opozitës Svetlana Tikhanovskaya që mori 10.12% të votave. Presidenti Alexander Lukashenko qëndron në pushtet që prej vitit 1994. /tvklan.al