Hungaria dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së do të përkrahin idenë italo-shqiptare për menaxhimin e flukseve migratore në samitin dy ditor të liderëve të mbledhur në Bruksel.

“Shtetet ballkanike po japin kontributin e tyre në luftën ndaj emigracionit ilegal, sidomos duke gjetur zgjidhje inovatore. Dua që të vlerësoj përpjekjet e Shqipërisë në bashkëpunim me Italinë për të nxitur më tej zbatimin në praktikë të këtyre zgjidhjeve inovatore. Unë konstatoj se kjo eksperiencë po ndiqet nga Komisioni Evropian në amendamentet për ngritjen e qendrave të administrimit për riatdhesimeve të azilkërkuesve. Ky është kthyer në element kyç në propozimet hungareze për përballimin e emigracionit të paligjshëm”, është shprehur Ministri për Çështjet Evropiane, Janos Broka.

Ndërkaq në Bruksel, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se migrantët e paligjshëm të cilëve u refuzohet azili duhet që të kthehen në vendin e tyre të origjinës.  

Mitsotakis i kërkoi Bashkimit Evropian që të sigurojë një listë të re të “vendeve të sigurta” për të ndihmuar në përshpejtimin e kthimeve të azilkerkuesve.

“Rregullorja e propozuar e riatdhesimeve për emigrantët e paligjshëm është në përputhje me qëndrimet tona. Ne i japim prioritet, jo vetëm ruajtjes së jashtme të kufijve të Bashkimit Europian, por edhe procesit të shpejtë të kthimit të atyre që nuk kanë marrë azil në shtetin nga i cili vijnë. Kushdo që hyn ilegalisht në Greqi dhe nuk ka marrë azil, pra nuk përfiton mbrojtje ndërkombëtare, duhet të kthehet në vendin nga i cili ka ardhur. Ne po presim me padurim listën e re të vendeve të sigurta të origjinës, në mënyrë që Greqia të mund të ecë më shpejt me riatdhesimet”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Migrimi është një nga çështjet në axhendën e liderëve, së bashku me Ukrainën dhe mbrojtjen kolektive.

Greqia ishte në vijën e parë të krizes se migracionit në vitet 2015-2016, kur më shumë se një milionë azilkërkues mbërritën aty në rrugë detare, duke lëvizur më tej në veri të Evropës.

Flukset kanë rënë që atëherë, por migrimi i paligjshëm në BE mbetet një temë e nxehtë politike në të gjithë kontinentin tonë e më gjerë.

Klan News