Qëndrimi i detyruar në shtepi nuk duket i lehte për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi i ditës së premte i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e detyron që të mos të dalë nga banesa e tij në zonën e “Kodrës së Diellit”.

Nuk e ka shkelur atë, por është parë disa herë në ballkon me cigare në dorë, me telefon në vesh apo duke lexuar një dokument, që me gjasë është vendimi që e mban brenda katër mureve. Vendimin për dhënien e masës së sigurisë “arrest shtëpi”, burime nga prokuroria thonë se gjykata e bazoi në prova të reja të servirura nga organi i akuzës, që kërkoi dërgimin e ish-ministrit në burg për akuzat e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Prova të reja, sipas hetuesve, janë letër-porositë e mbërritura nga Greqia dhe kanë të bëjnë me dyshimet se ai është takuar me një nga vëllezërit Habilaj. Një fakt i ri sipas akuzës janë dhe dëshmitë e reja të marra këto kohë në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Dy javët e fundit, në Prokurori dhanë dëshminë e tyre dy nga njerëzit më të afërt të Tahirit, shoferi Gentian Ceka dhe truproja Elvis Rexha. Gjithashtu u pyetën disa banorë të fshatit Gjorm, nga ku ka origjinën edhe Nazer Seiti, një nga personat e rëndësishëm te grupit të “Habilajve”.

Por mbrojtja e Tahirit pretendon të kundërtën duke sqaruar se prokuroria ka të njëjtat prova të paraqitura në Kuvend dhe nuk ka asnjë element të ri në kërkesën e bërë. Pritet që Saimir Tahiri të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda të martën për verifikimin e masës së sigurisë. Në seancë, përveç verifikimit ai do të merret edhe në pyetje. Pala mbrojtëse ka bërë të ditur se do ta apelojë masën e arrestit të shtëpisë, e të njëjtën gjë ka paralajmëruar edhe prokuroria.

Tv Klan