Kohëzgjata e sezonit më shumë se 45 ditë

Pas vendimit të Komitetit Teknik për universitetet, për zgjatjen e sezonit të provimeve dhe kombinimin e provimeve online dhe në auditor, ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se do të jenë universitetet që do të vendosin se si do zhvillohen provimet.

“Në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet online, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve anti-COVID; sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret “online” të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrje në provime”.

Kushi tha se universitetet duhet të shohin mundësinë për t’u dhënë studentëve të drejtën të vendosin, nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon provimesh.

“Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon, t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë. Kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, numri i studentëve në sallë duhet të jetë jo më shumë se 15 veta, duke garantuar distancën e nevojshme; kohëzgjatja e provimeve të jetë jo më shumë se një orë dhe mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme.

Tv Klan