Pas revistës “Mother Jones”, edhe prestigjozja  amerikane “New York Times” i ka kushtuar një artikull çështjes së kontratave të lobimit të Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 25 Qershorit. Edhe “New York Times” i mëshon faktit se një prej lobistëve amerikanë figuron si person i financuar nga kompani ruse.

“Demokratët, të cilët pësuan një humbje të madhe në zgjedhjet e qershorit, nënshkruan një kontratë me lobistin amerikan Nick Muzin, i financuar nga një kompani e lidhur me Rusinë, për të siguruar një takim të kreut të PD, Lulzim Basha me presidentin amerikan, Donald Trump dhe katër senatorë republikanë”.

Pas fakteve të reja, Partia Socialiste i kërkoi Lulzim Bashës të bëjë transparencë për kontratat e lidhura sipas saj nga kompani guackë për të lobuar në Uashington për promovimin e Partisë Demokratike dhe për të krijuar destabilitet në Ballkan.

“Këtu kemi të bëjmë me një krim politik, financiar dhe, mos e dhëntë Zoti, edhe kombëtar, për të cilin Lulzim Basha duhet të përgjigjet . Lulzim Basha duhet të thotë ku u gjenden ato para që u paguan në emër të PD-së. Pse ato para kaluan nga kanali i errët i një shoqërie guaskë? Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan, sepse përndryshe askush në SHBA nuk do të harxhonte kohë dhe energji për të hetuar këtë zullum të madh”

, tha Elisa Spiropali.

Në kundërpërgjigje, selia blu tha se pas artikullit të publikuar në revistën amerikane Mother Jones qëndron Kryeministri Rama.

Sipas investigimit të “Mother Jones”, një vit më parë, një firmë skoceze e quajtur Biniatta Trade, e cila u formua nga dy kompani me bazë ne Belize, pagoi 150 mijë Dollare një lobist republikan dhe ish-ndihmësin e fushatës Trump me emrin Nick Muzin për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë. Rastësisht ose jo, dy kompanitë e regjistruara në Belize, e që qëndronin pas ‘Biniatta Trade’ ishin që të dyja të lidhura e të kontrolluara nga rusët. Përfundimi i lobimit është një vizitë e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në Uashington para zgjedhjeve dhe një foto e tij me Presidentin Donald Trump.

Tv Klan