Rama: Asnjë marrëveshje politike për të ndenjurat e politikanëve

Erdhi rreth 60 minuta me vonesë në Asamblenë Kombëtare, aspak tipike kjo për Edi Ramën, por zbuloi se shkak ishte bërë Presidenti francez, Emanuel Macron.

“Me falini por kisha një telefonatë të gjatë me Presidentin francez.”

E faktorin ndërkombëtar e vlerësoi jo pak për mbështetjen që i dha 30 Qershorit që sipas Ramës ishte një fitore për Shqipërinë dhe një përgjigje e qartë për ata që guxuan që të sfidonin demokracinë. Por nga kjo datë kryesocialisti mendon se vjen si domosdoshmëri dhe disa ndryshime në nivelet drejtuese, ndryshime që prekën vetëm 3 koordinatorë të qarqeve. I pari që e mësoi live gjatë mbledhjes që nuk do të ishte më drejtuesi i qarkut të Shkodrës ishte ish-ministri Ditmir Bushati, ndërsa 2 koordinatorëve të tjerë Blerina Gjylameti në Tirane dhe Lindita Nikolla në Lezhë ju besuan detyra të tjera drejtuese.

Ne fjalën e tij Rama u ndal gjatë që funksionimin e partisë dhe ju beri të qartë të gjithë përfaqësueseve të strukturave se jo vetëm nuk do të jenë më pjesë e tyre, por mund të ngelen dhe jashtë familjes socialiste nëse nuk përmbushin objektivat që ka kjo forcë.

“Është koha që secili dhe secila të bëjë kilometrat e veta. Dua ta them që sot s’mund të ketë më deputetë që marrin male për të takuar njerëz, marrin njerëzit në krah për t’ju zgjidhur një hall, dhe nga ana tjetër deputetë që edhe në fushatën e 30 Qershorit kanë shkuar tek njerëzit vetëm javën e fundit. S’mund të ketë me anëtarë asambleje që kujtohet nga ftesa për mbledhjen e Asamblesë. Kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 Qershori s’do jete më ..do dalë nga projekti ynë politik i 2021…ta them që sot që do dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike çdo kryebashkiak që do mendojë që tani mund të bëjë pa njerëzit dhe pa ne.”

30 qershorin e sheh si kufirin mes të djeshmes dhe të sotmes dhe thotë se është ende e hapur plaga e sfidës që kanë përpara për të reflektuar.

30 Qershori është tashmë histori ndërsa 2 vitet e ardhme janë një borxh edhe më i madh për qytetarët ndaj atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 Qershorit.

“Borxhi ku na ka futur populli ne 30 Qershor nuk shlyet dot…”

Në fund disa fjali ia kushtoi dhe opozitës. Pavarësisht aksionit opozitar radikal që i parapriu 30 Qershorit, Rama thotë se është i gatshëm për dialog, i cili të kalojë përmes reformës zgjedhore. E vetmja gatishmëri që thotë se i mungon është të negociojë reformën në drejtësi për të shpëtuar politikanë që preken nga ajo si në kampin kundërshtar ashtu dhe  në gjirin e Partisë Socialiste.

Asambleja socialiste i hapi rrugën zgjedhjeve të brendshme në partine socialiste për të gjitha organizatat dhe forumet drejtuese përfshirë dhe kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare që do të dalë nga Kongresi i Janarit 2020.

Ndryshimet e Koordinatoreve të Qarqeve:

Qarku i Shkodrës

Ikën Ditmir Bushati vjen Vladrin Pjetri

Qarku Lezhë

Ikën Lindita Nikolla vjen Sandër Lleshaj

Qarku Tiranë

Ikën Blerina Gjylameti, vjen Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati

Tv Klan