Pritet vendosja e objektit hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS dhe koncesionet në shëndetësi

Pas 5 muajsh aksion në parlament mazhoranca dhe PD e drejtuar nga Sali Berisha kanë arritur marrëveshjen për ngritjen e 2 komisioneve hetimore dhe për ngritjen e një nënkomisioni për reformën zgjedhore. Në Konferencën e Kryetarëve, u vendos që 2 komisionet që do të ngrihen nga 8 të kërkuara nga opozita, do të jenë ai për të dhënat e sistemit TIMS dhe për kontratat konçesionare në shëndetësi.

Objekti i hetimit për komisionet do të vendoset mesditën e së mërkuarë. Ndërkohë, nënkomisioni për “Zgjedhoren” do të ketë 4 anëtarë, 2 të PS dhe 2 të PD.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, opozita heq dorë nga protesta, duke lejuar normalizimin e punës në parlament. Në përfundim të mbledhjes, Bardhi tha se kjo marrëveshje tregon se mazhoranca ka reflektuar.

Gazment Bardhi: Do duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërçin që është krijuar në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të refuzimit të mazhorancës për të përmbushur të drejtat kushtetuese.

Duke njohur PD e drejtuar nga Berisha si palë e opozitës, mazhoranca do të anashkalojë bashkëpunimin me Lulzim Bashën me të cilin zhvilloi punimet në komisionet reformës zgjedhore. Për këtë situatë, nuk mungoi dhe ironia e Bardhit.

Kryetari i Grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Bledi Çuçi tha se nënkomisioni për reformën zgjedhore do të punojë mbi bazën e produktit që do të dalë nga komisioni aktual.

Bledi Çuçi: Ramë dakord që në parim të diskutojmë për çështje që kanë të bëjnë me ligje që kërkojnë 3/5 që t’i diskutojmë paraprakisht në bërthama më të vogla se sa komisioni ligjor.

Negociatat mes PS dhe Rithemelimit janë cilësuar si pazare për të dështuar reformën zgjedhore nga PD e drejtuar nga Lulzim Basha.

Klan News