Drejtuesi Politik i Tiranës për Partinë Socialiste, Erion Veliaj, ka deklaruar se zona e Astirit ka votuar 60% për selinë rozë. Këtë lajm, Veliaj e konsideron si fantastik dhe qershinë mbi tortë për rezultatet për kryeqytetin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se kjo fitore konfirmon se në Astir njerëzit duan punën dhe jo abuzimin nga politika, duke folur në këtë mënyrë për përplasjet e shumta ndër vite me një pjesë të banorëve që preken nga projekti i Unazës së Re.

“Siç ju kisha premtuar, do kishte një qershi mbi tortë sot dhe qershia mbi tortë është që Astiri ka votuar 60% PS. Ata që punojnë, jo ata që bllokojnë. Është një lajm fantastik. Falenderoj banorët e Astirit, banorët e Unazës  Re. Të gjithë banorët e një zone që ka qenë pjesë e debatit publik prej kohësh. Kam besuar se betejën më të madhe në Shqipëri qofshin këto analistë apo këto grupet janë kryesisht minorancat e zhurmshme. Duke qenë se bëjnë shumë zhurmë dhe bërtasin gjithë kohës të japin përkohësisht idenë sikur janë shumica. E kuptova këtë për herë të parë tek këndi i lojërave. E provova këtë për herë të parë tek këndi i lodrave, me njerëz shumë të zellshëm dhe të zhurmshëm. Pastaj vjen Presidenti, pastaj vjen dhe një deputet me patllake, pastaj janë përditë në ekran. Ke një grup njerëzish të qetë që thonë “Lali mos ia vlen që ta ndërprejmë këtë punë se janë mërzitur disa njerëz”. Nëse nuk ke bindjen se janë një minorancë e zhurmshme që nuk përfaqësojnë shumicën e njerëzve të heshtur. Ia kam thënë këtë gjë vetes që nga ajo betejë e parë, tek beteja për sheshin Skënderbej, tek beteja për Pazarin e Ri, tek beteja tek Kalaja dhe tek Astiri. Ka qenë një debat që e kam pasur për 3 vjet me kolegët e transporteve. Gjithmonë krijohej ideja sikur Astiri përfaqësohej nga një grup njerëzish që bllokonte rrugën dhe për 3 vite pengoi zhvillimin e Tiranës. Për 3 vite kam besuar fort se një minorancë e zhurmshme nuk mund ta ndalojë shumicën e heshtur të njerëzve të mirë, të drejtë dhe të njerëzve të punës. Por pyetja që me të drejtë njerëzit thonë, çfarë na garanton që ti ke të drejtë. Përgjigja është, fitorja jonë sot. Ky është konfirmimi që në Astir, në atë zonë aq të përdorur keqazi nga politika, aq të abuzuar nga politika, shumica e njerëzve do punën dhe jo dhunën, do dhunën dhe jo urrejtjen. Do të ecë përpara dhe jo mbrapa. Kjo është diferenca”, tha Veliaj./tvklan.al