Kryeministri Edi Rama në një takim me kandidatët për deputet në qarkun e Durrësit u ndal përsëri tek negociatat dhe rëndësia e zgjedhjeve të 11 Majit në zhvillimin e këtij procesi.
Rama u shpreh se merita jonë është që jemi gjendur në vendin e duhur në kohën e duhur të përgatitur. Kreu i qeverisë u shpreh se mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 do të ishte një rekord i hatashëm
“Unë jam shumë krenar që ne sot jo vetëm që jemi në pararojë, por na është pranuar dhe kemi dakordësuar me Komisionin Europian që të gjitha negociatat t’i mbyllim brenda 2027 që do të jetë një rekord shumë i hatashëm i të gjithë procesit të integrimit dhe jo thjesht për meritën tonë. Merita jonë është që jemi gjendur në vendin e duhur në kohën e duhur të përgatitur.
Këtu për këtë arsye, për arsye se ata tani janë gati që ta hedhin këtë hap është krijuar kjo mundësi. Mund të kishte ndodhur që e gjithë kjo të zhvillohej brenda një mandati dhe të mos kishte zgjedhje në mes. Ka qëlluar që ka zgjedhje në mes dhe 11 Maji për këtë arsye është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse 11 Maji do të luajë një rol kyç në shpejtësinë me të cilën zhvillohen negociatat është shumë e rëndësishme për të mos e humbur këtë mundësi, sepse ne nuk e dimë se çfarë ndodh nesër. Siç ndryshoi qasja e BE pozitivisht, pas disa vitesh mund të ndryshojë prap. Dhe ata mund ta fillojnë përsëri atë historinë nga e para, ‘po mirë se do ta shohim’. Ne duhet të shpejtojmë të futemi aty brenda, pa u mbyllur prap kjo derë.
Këto procese të tjerët, Kroacia që ka shkëlqyer ka marrë 7-8 apo 9 fare për të hyrë në BE. Ne kemi 3 vite që do të thotë duhet të bëjmë një punë ditë natë. Nga ana tjetër ne e kemi vendosur fokusin e fushatës këtu sepse është e rëndësishme që të marrim nga populli një mbështetje për futjen e vendit në BE”, thekson Rama.
Rama e cilësoi qeverinë dhe partinë që drejton si forca në vendin dhe kohën e duhur, njëlloj sikurse ishte PD-ja në vitin 1992 kur ra sistemi komunist dhe nisi pluralizmi.
“Sot jemi siç ishte PD në 1992, në vendin e duhur në kohën e duhur, vendi i duhur, po e njëjta situatë, PS-ja ndodhet në kohën dhe vendin e duhur, nuk lëviz dot kjo që të futet një tjetër, ama ka shumë rëndësi nëse shprehet vullneti i popullit me forcën e vetë dhe pastaj ne marrim edhe një mandat shumë të fuqishëm politik nga populli apo krijohet një lëkundje në perceptimin tyre është shumë negative. Po një lekundje na prish shumë punë, na prish punë për ritmin e negociatave. Më 12 Maj ne bëjmë numërimin e votave, në 13 Maj ne bëjmë numërimin e votave, kurse ata atje duhet të mos shqetësohen se çfarë ndodh me votat këtu. Thjeshtë të jetë çështja sa i thellë do jetë rezultati dhe jo se kush fitoi”, u shpreh Rama.
Rama theksoi edhe njëherë përfitimet e qytetarëve me anëtarësimin në BE.
“Ka njerëz shumë që thonë që ça na duhet ne BE-ja. Kjo është një idiotësi. BE për ne është një çështje jetike sepse vetëm duke u bërë pjesë e BE ne si popull do të shpëtojmë nga hijet që na ndjekin nga mbrapa. Vetëm duke u futur në BE ne do të garantojmë disa gjëra, që nga liria individuale tek barazia para ligjit që është gjëja më e parë që ndan një vend demokratik nga një kuazodemokratik”, deklaron kreu i qeverisë.
/tvklan.al