Partia Socialiste ka mbledhur rreth 50 firma nga deputetët për të konkretizuar nismën e saj për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Tashmë kjo nismë i është dërguar edhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi gjatë Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar këtë të hënë.

Nuk dihet nëse kjo çështje do të jetë në seancën plenare të ditës së martë (04 Maj). Tashmë hapi i radhës është ngritja e një komisioni hetimor që do të bëjë shqyrtimin e pretendimeve që mazhoranca ka në lidhje me ato që Meta ka bërë gjatë fushatës elektorale.

Socialistët thonë se Presidenti është përfshirë në fushatë zgjedhore. Kreu i shtetit ka deklaruar disa ditë më parë se do të jetë në detyrë deri kur të mbarojë mandatin. Kjo nuk është nisma e parë që ndërmerret për shkarkimin e Metës.

Por nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama është shprehur se Meta u ndëshkua nga populli më 25 Prill dhe Parlamenti do të certifikojë këtë vendim të qytetarëve.

Socialistët kanë tentuar ta shkarkonin kreun e shtetit edhe njëherë tjetër, kur Meta zhdekretoi datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit./tvklan.al