PS lë jashtë liste “xhaketat e vjetra”



PS lë jashtë liste “xhaketat e vjetra”

15:07 09/03/2021

Spastrimi i radhës, lihet jashtë Bushati, Xhafaj e Mjako

Diskutimet e socialistëve për kandidatët që do përfshiheshin në lista nuk ishin aspak të lehta.

Në limit të afatit, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla bëri publikë emrat e skuadrës së 25 prillit. Tensioni që shoqëroi diskutimet me dyer të mbyllura u reflektua në pozicionimet larg zonës së sigurt të shumë prej eksponentëve të Partisë Socialiste, mes tyre ministri i shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i renditur i 19-ti në qarkun Tiranë.

Burime për Klan News bëjnë me dije se Majko i ka shprehur hapur pakënaqësinë për renditjen e kryeministrit Edi Rama, gjë që u reflektua dhe në pamjen e ministrit, pas përfundimit të mbledhjes.

Jashtë zonës së sigurt u la dhe Fatmir Xhafaj. Ndonëse ish-ministri i Brendshëm prej javësh kishte nisur fushatën në njësinë 10 në kryeqytet, kryesia e socialistëve i rezervoi vendin e 23-në kryeqytet.

Larg fitores së mandatit të radhës për deputet, u la dhe dhe ish-ministrja Mimi Kodheli. Socialistët e vendosën në vendin e 21, në një qark ku synojnë të fitojnë 18 deputetë.

Surprizë në listat e selizë rozë ishte dhe pozicionimi i deputetit Alket Hyseni, i renditur i 11 në qarkun e Vlorës, aty ku PS objektivin maksimal e ka të fitojë vetëm 9 mandate.

E përveç pozicionimit larg pjesës fituese të listës, një pjesë e mirë e emrave të rëndësishëm të PS, nuk u rikandiduan.

Një prej tyre, ministri yll i dikurshëm i kryeministrit Rama, Ditmir Bushati i cili nuk do të kërkojë votën në Shkodër nën siglën e PS.

Në lista është vënë re dhe mungesa e emrave të tjerë, si Elva Margariti, Sandër Lleshaj, Sadri Abazi, Elona Gjerbrea, Adnor Shameti, Senida Mesi, dhe Anastas Angjeli.

E papritura e radhës që doli nga diskutimet në selinë rozë, ishte pozicionimi i Olta Xhaçkës në Korçë, e renditur e treta për zonën e Kolonjës, pas Blerina Gjylametit në Pogradec.

Socialistët “shpërblyen” një pjesë të opozitës parlamentare, Halit Valteri në Tiranë, Nimet Musai Fier, Klajdi Qama Berat, Ylli Shehu Tiranë dhe Enver Rroshi Elbasan edhe pse jo në pozicione të sigurta.

Klan News







Të ngjashme