Partia Socialiste e mbylli fushatën nga Vlora. Në një tribunë të vendosur në sheshin e qytetit, selia rozë kishte menduar të vendoste numrin 12, për numrin që PS-ja ka në fletën e votimit. Stafi i Ramës kishte zgjedhur edhe simbolika të tjera. Aty ishin vendosur disa makina të shkatërruara në të cilat ishin vendosur logot e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij ka përballuar dy sfida të mëdha si pandemia dhe tërmeti. Ai u bëri thirrje mbështetësve që të votojnë numrin 12 në fletën e votimit të dielën e 25 Prillit. “Kush do të dijë rezultatin e 25 Prillit duhet vetëm të më besojë që nga këtu unë mendoj duke parë gjithë këtë rreth këtu, se nuk keni parë gjë akoma”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli me ironi për kundërshtarin e tij, Lulzim Basha, dhe tha se është po e njëjta fantazmë e të keqes së shqiptarit. Po ashtu, kryeministri foli me tone të ashpra ndaj Metës dhe mbështetësve të tij në Vlorë u kërkoi që më 25 Prill t’i tregojnë se “kur të flasë për Vlorën të numërojë deri në 12”.

Rama nga Vlora: Presidenti, turp kombëtar. Nuk ka parë gjë akoma!

Nga Vlora ku po mbyll fushatën elektorale, Kryeministri Edi Rama nuk la pa e sulmuar sërish Presidentit Ilir Meta, të cilin e quajti turp kombëtar dhe tha se vlonjatët të dielën do t’i tregojnë se nuk ka parë gjë akoma.

“Unë kam ardhur zakonisht në mitingje, njerëzit janë mësuar të thonë si ky miting nuk kam parë. Por unë sot e kuptova që nga Vlora s’kam parë gjë akoma. Dhe unë sot ju kërkoj ju që jeni këtu dhe të gjithë atyre që përpara se të jenë socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, të kënaqur, të pakënaqur, janë vlonjatë që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë, e sidomos atij turpi kombëtar që quhet president, që nuk ka parë gjë akoma!

Kur më pyeti një ditë Damiani, më tha ore tha s’po e marr vesh, na mbeti Likja në Vlorë. I thashë është ajo puna e derës së xhamisë, ka vajtur tek dera e xhamisë dhe më 25 Prill Vlora do t’ia lerë gjithmonë historisë, atë, Saliun, Lulin, Monikën dhe tërë paçavuret që në 30 vjet na janë qepur nga  prapa si fantazma të të shkuarës”.

Rama sjell të ftuarën speciale në Vlorë: Ajo goca e vogël është bërë kjo vajza e gjatë

“Është dita e parë pas fushatës dhe është dita për t’ju thënë se kur Kiara të bëhet 18 vjeç dhe të votojë për herë të parë do e kemi ndryshuar tërësisht Vlorën dhe do të jetë krejt ndryshe”.

Kështu u shpreh Rama pas zgjedhjeve në vitin 2013 në Vlorë, kur në krah kishte një vajzë të vogël, asokohe 11-vjeç. E aty, kryeministri bënte një premtim, që kur kjo vajzë e vogël të mbushte 18 vjeç dhe të votonte për herë të parë, Vlora do të ishte e ndryshuar, një premtim që sipas tij është bërë realitet.

“Ajo goca e vogël është kjo vajza e gjatë dhe unë besoj se çfarë i thashë kur ishte e vogël atje pasi ju më dhatë besimin, sot është përpara syve të Kiarës, një realitet i transformuar”, tha Rama.

Ndërkohë, vajza e vogël që tashmë është bërë adoleshente tha se “çfarë është bërë në Vlorë nuk ka vend për fjalë”.

Partia Socialiste e mbyll fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit nga qyteti i Vlorës. Kreu i qeverisë shoqërohej në këtë ceremoni nga bashkëshortja Linda Rama, por edhe djali i vogël, Zaho.

“Unë dua Vlorën”, Zaho ‘ngre në këmbë’ vlonjatët

Vlora ishte stacioni i fundit i kësaj fushate elektorale për Partinë Socialiste.

Pikërisht në këtë qytet, ku Kryeministri Edi Rama iu drejtua mbështetësve për herë të fundit para zgjedhjeve të 25 Prillit, ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe tre fëmijët e tyre.

Megjithatë një vëmendje e veçantë shkoi tek djali i vogël i Kryeministrit, Zaho, të cilin ai e ftoi edhe në podium së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes.

Edi Rama: Zaho, Zaho, hajde, merre me mamin, motrën, vëllain me vete. Ju prezantoj me dikë që sa herë i thua bëj mesimet, po i bëra mësimet do më çosh në Vlorë (thotë)?

Zaho:Mirëmbrëma, unë dua Vlorën.

Edi Rama: Zaho e do Vlorën, Vlorën e do gjithë Shqipëria. Vlorën më 25 Prill do të vulosë ngjitjen e Shqipërisë në një majë tjetër. Rrofshi, rrofshi, rrofshi.

Më herët Rama ishte në Durrës, ku mbajti gjithashtu një takim përmbyllës të fushatës elektorale./tvklan.al