Kërkon t’i shpëtojë shkarkimit, sillet si kryetar i opozitës

Shumica është e bindur se nuk ka asnjë krizë me Presidentin e Republikës, por është ky i fundit që po bën një betejë si një përpjekje për t’i shpëtuar shkarkimit të tij nga Komisioni Hetimor ku fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese.

Ne nuk kemi krizë me Presidentin. Ka Presidenti me Ilir Metën  dhe ai duhet të ndajë nëse do të vijojë të jetë një nga liderët e opozitës apo President. Ilir Meta është një institucion në hetim për shkelje të rënda. Më duket si përpjekje e një personi të vendosur në akuzë që sulmon gjyqtarin e çështjes”.

Ndryshimet në ligjin e Gjykatës Kushtetuese, Balla thotë se u bënë për të mos e lënë në dorën e asnjë institucioni procedurën e betimit, por gjithsesi sipas tij nëse Venecia do të rekomandojë një zgjedhje tjetër, mazhoranca është e gatshme ta pranojë.

Presidenti nuk mund të vijojë me parimin kur t’i teket për të firmosur. Nuk mund të dekretojë kur t’i teket një autoritet që vjen në vijim të plotë të një procesi kushtetues. Më parë ka pasur një kryetare Kuvendi që nuk shprehej por i mbante në sirtar, prandaj 10 ditë janë të mjaftueshme”.

Për shumicën, Presidenti po sillet si kreu i opozitës. Por Balla thotë se aksioni i Ilir Metës nuk duhet të ndikojë tek pakti që kanë me opozitën për Reformën Zgjedhore.

Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës. Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që organizon Basha me opozitën në selinë e PD-së. Kjo është një çështje e tyre, nuk dua të komentoj problemet e opozitës. Ne kemi një dakordësi me PD-në, lidershipin e saj, të paktën zyrtar, nuk di nëse mund të jetë shkarkuar Basha nga drejtimi i PD-së, mesa di është. Për përfshirjen e PD-së në procesin e draftimit të tekstit të Kodit Zgjedhor. Ky proces ka ecur tejet mire”.

Për Ballën, me këtë kapriçio personale, Presidenti po dëmton procesin e integrimit. Por kjo deklaratë është ironizuar nga zëdhënësi i Presidentit i cili i kujton se ngritja e Gjykatës Kushtetuese është në fakt kyç për çeljen e negociatave.

Tv Klan