“Të gjitha ndryshimet në Kodin Penal në fuqi në Shtator”

Pas vendimit të Presidentit Meta, i cili ktheu për rishqyrtim disa nene të Kodit Penal, ka reaguar Partia Socialiste nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla.

Në një koment në Facebook, Balla shprehet se “ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, për të cilat Meta nuk është dakord, adresojnë shqetësimet kryesore të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike, duke nisur nga siguria ushqimore”.

Balla thekson se “Presidenti u rreshtua në krah të dhunuesve ndaj mjekëve apo policëve. E gjithë vëmendja jonë është për njerëzit dhe në Shtator këto ndryshime do të hyjnë në fuqi”, mbyll reagimin e tij Taulant Balla.

Pas tij ka reaguar Presidenca. Zëdhënësi i kreut të shtetit deklaron se në kushtet kur prej dy vitesh Gjykata Kushtetuese është bllokuar, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret. Presidenca thekson se një tjetër projekligj është kthyer për rishqyrtim që pritet të publikohet nesër.

Tv Klan