Në filtër drejtuesit e qarqeve, Beqaj dhe Bushati më të rrezikuarit, në fund të Gushtit zgjidhet qeveria e re

Ndonëse fituan mandatin e tretë qeverisës, socialistët nuk do ta kursejnë një riorganizim të strukturave të partisë. Ky proces do të zgjasë deri në 15 Janar ndërsa faza e parë përfundon në 15 Nëntor me zgjedhjen e bashkëdrejtuesve të rinj të organizatave socialiste.

Emërimi i figurave të reja pritet të bëhet për 5000 organizata socialiste në të gjithë vendin. Që prej vitit 2019, këto organizata bashkëdrejtohen nga një burrë dhe një grua si një iniciativë e selisë rozë për të nxitur barazinë gjinore. Faza e dytë e analizës, ka të bëjë me rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative e pritet të zgjasë deri në 15 Dhjetor.

Në filtër do të përfshihen dhe drejtuesit e qarqeve të cilët nuk dhanë maksimumin në zgjedhjet parlamentare. Puna e tyre do të vlerësohet nëpërmjet një komisioni të posaçëm.

Në këtë fazë të tretë dhe të fundit, Komisioni i Posaçëm do të vlerësojë punën e çdo drejtuesi qarku që nuk arriti objektivat. Referuar rezultatit të 25 Prillit, në rreth 8 qarqe Partia Socialiste nuk ka performuar siç është kërkuar nga kryesocialisti, duke marrë më pak vota se në 2017-ën, ndonëse ky rezultat nuk ka ndikuar në numrin e mandateve.

Më i rrezikuari është drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, Ilir Beqaj, ku 9000 votat minus i sollën dhe humbjen e mandatit.

Në vijën e kuqe është dhe Ervin Bushati, drejtuesi i PS në Tiranë. Ndonëse në këtë qark numri i mandateve nuk ndryshoi, diferenca e votave me 2017 është mbi 20 mijë më pak.

Jo pak PS humbi dhe në Vlorë, plot 6000 vota por që një pjesë të përgjegjësisë socialistët ia kanë atribuuar mos angazhimit të Bashkisë.

Ankthi është rritur dhe brenda kampit qeveritar, pasi kryeministri Rama në fund të muajit Gusht pritet të zgjedhë qeverinë e re.

Klan News