Partia Socialiste ka nisur sot fazën e dytë të përzgjedhjes së një pjesë të kandidatëve për deputetë që do të garojnë për një vend në Kuvend në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Në një takim të mbajtur online, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, ka njoftuar se një pjesë e kandidatëve janë skualifikuar që në fazën e parë, pasi nuk i përmbushnin të gjitha kriteret për t’u përzgjedhur.

Ai shtoi se edhe nga faza e dytë do të ketë të skualifikuar, por të gjithë ata që kanë garuar tashmë janë pjesë e PS dhe mund të japin kontributin në forma të tjera dhe jo vetëm duke qenë deputet.

Balla në fjalën e tij deklaroi se faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë do të jetë njësoj si një akademi politike. Ai tha se do të ketë të ftuar nga Parlamenti Evropian dhe politikanë të shquar evropian që do të japin shembullin e tyre për kandidatët e rinj./tvklan.al