“S’ka zgjedhje të parakohshme lokale, punoni për mandatin e tretë”

Edi Rama ju ka kërkuar përfaqësuesve të strukturave drejtuese të selisë rozë të mundësojnë me punën e tyre mandatin e tretë qeverisës për Partinë Socialiste.

Gjatë këtyre dy ditëve, Kryeministri ka pritur në zyrën e tij me orare të ndara deputetët e të gjitha qarqeve si dhe kryebashkiakët. Rama ka kërkuar të gjejnë çdo formë të mundshme brenda masave që lejon situata pandemike për t’u takuar me njerëzit.

Në takim është përjashtuar çdo hapësirë për zgjedhje të parakohshme lokale dhe të gjithë sipas kryeministrit duhet të punojnë duke harruar dhe pushimet e verës, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të Pranverës së 2021.

Në takim është prekur dhe Reforma Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga opozita parlamentare. Duke mos pasur ende një vendim politik përfundimtar mbi këto kërkesa, Rama ju ka kërkuar deputetëve që të punojnë në terren për t’u futur të vetëm në zgjedhje me përcaktimet aktuale kushtetuese lista të mbyllura, por të vetëm pa aleatë, edhe pse siç është shprehur, asgjë nuk është përfundimtare.

Këtë muaj socialistët duhet të mblidhnin dhe asamblenë e tyre e cila duhet të votojë për Kryesinë e re të Partisë Socialiste, por situata e rënduar nga të prekurit me Covid-19 nuk e mundëson një mbledhje të këtyre përmasave. Ndaj duket se do të shtyhen ende në një kohë më të përshtatshme.

Tv Klan