PD: Mazhoranca të shprehet për propozimet tona. PS: Nuk ka rifillim loje

Rikthimi i opozitës në tryezën e këshillit politik pas një ndërprerje 2-mujore për shkak të pandemisë së Covid- 19 ka prodhuar të parin konsensus, atë për përfundimin e reformës elektorale brenda 31 Majit.

Damian Gjiknuri:Po ka vullnet dhe po të nisemi nga parimet që kemi rënë, mundësia është që të arrimë marrëveshjen edhe përpara 31 Majit, sepse puna më e madhe është bërë”.

Oerd Bylykbashi: “Është objektivi i opozitës që pa humbur kohë kjo reformë të shkojë drejt përmbylljes me konsensus. Këshilli Politik duhet ta mbyllë brenda datës 31 Maj. Është objektiv i opozitës që pa humbur kohë kjo reformë të shkojë drejt përmbylljes me konsensus të një drafti të një Kodi Zgjedhor që parlamenti ta aprovojë pa ndryshime”.

Por takimi i parë online i palëve nuk solli në thelb asgjë të re. Gjiknuri tha se puna duhet të vazhdojë aty ku u la në 9 Mars, ndërsa opozita kërkoi nga mazhoranca të mbajë një qëndrim për të gjitha propozimet që sipas saj janë lënë ende pa një përgjigje.

Damian Gjiknuri:Nuk kemi të bëjmë me rifillim loje, por me vazhdimin aty ku e lamë. Kjo do të thotë që nuk mund të rikthejmë më axhenda. Opozita do të fshijë çdo gjë që ka arritur. Nuk është çek pa skadencë. Presim propozimin për KQZ dhe çështja e kolegjit, ndërkohë që për elementë të tjerë përgjithësisht kemi qenë dakord”.

Oerd Bylykbashi: “Para se të vazhdojmë të ecim më tutje duhet që të jetë e qartë: cili është vullneti politik i mazhorancës në lidhje me të gjitha propozimet që ka bërë opozita e bashkuar. Jemi ndeshur vetëm me refuzim. Loja e mazhorancës për ta tërhequr zvarrë me çështje të tjera shtesë nuk ndihmon procesin”.

Ndonëse më herët palët në tryezën e këshillit politik kanë rënë dakord për disa çështje mes të cilave edhe atë për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje apo financimet e fushatave elektorale, për tema të nxehta siç është depolitizimi i administratës, për zgjidhje duket se do të trokitet në dyert e ODIHR-it.

Damian Gjiknuri:Për gjëra që nuk biem dakord do t’i drejtohemi ODIHR për opinion që të na orientojnë drejt konsensus. Ndryshe nuk është qëllimi për të ecur përpara, por për të penguar Reformën Zgjedhore”.

Oerd Bylykbashi:Ne do qëndrojmë fort për të gjetur zgjidhje konsensuale me asistencën e OSBE/ODIHR që brenda 31 Majit reforma të jetë mbyllur dhe më pas t’i drejtohemi betejave të tjera politike për konfirmimin e legjitimitetit të pushtetit që është vetëm nëpërmjet zgjedhjeve”.

Mbledhja e radhës së Këshillit Politik do të zhvillohet të mërkurën dhe në tryezë do të diskutohen edhe propozimet e bëra nga opozita parlamentare për sistemin elektoral, ndonëse më herët bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri  është shprehur se kjo çështje e tejkalon punën e komisionit të reformës.

Tv Klan