Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Vazhdojnë debatet në gjirin e socialistëve për kërkesën e ish-kryetarit Nano që kryesia socialiste të shpërndahet. Anëtarët e kryesisë socialiste njëkohësisht edhe ministrat e kabinetit Majko janë shprehur kundër kësaj teze.

Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Apsolutisht jo nuk ka asnjë arsye që të votbesohet kryesia e Partisë Socialiste. Nuk asnjë arsye aq më tepër që jemi në prag të përgatitjes së Kongresit”.

Ministri Ruka ndërkohë që kundërshton idenë e Nanos për shpërndarjen e kryesisë sociliste përkrah idenë e tij që posti i kryetarit të partisë të mos unifikohet me postin e kryetarit të qeverisë.

Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Përvoja ka treguar që ngarkesa e një kryeministri është jashtëzakonisht e madhe. Mendimi im personal është që kryetari i partisë nuk duhet të jetë kryeministër”.

Ndërkohë kryetari i shumicës parlamentare Gramoz Ruçi në lidhe me këto probleme shprehet.

Gramoz Ruçi, kryetari i kryesisë së PS:- “Përderisa në kryesi të partisë ka një pjesë mbi 50% të ekzekutivit sigurisht që mund të ketë subjektivitetin e tyre dhe qëndrimet e tyre. Megjithatë unë gjykoj e mendoj se pavarësisht se janë në ekzekutiv anëtarët e kryesisë së PS, kur futen në kryesi duhet të jenë të zhveshur nga servilizmi pranë karrikes që kanë. Unë do të dëshiroja që kushdo që ka dëshirë të kandidoj në PS të bëj publik emrin e tij, alternativën e tij dhe të marr kontakte nga Vermoshi deri në Konispol”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame