Veliaj: Jo peng i partive të vogla që pengojnë projektet

Partia Socialiste ka si objekti të sajin fitoren ne zgjedhjet e ardhshme me mbi 50% të votave si e vetmja garanci që të mos mbeten në dorë të atyre që i cilëson si parti të vogla dhe të bëhen pengese për realizimin e projekteve.

Kjo u deklarua nga kryebashkiaku Erion Veliaj në një takim me strukturat politike të kësaj partie në njësinë numër 4 të Tiranës. Ai përmendi këtu shembullin e përplasjeve në Bullgari apo në Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos, e ku qeveria e Sofjes është futur në një krizë të thellë politike.

“Pra, kur nuk ke shumicën, kur nuk e ke në dorë vendimmarrjen, kur nuk e ke timonin, kur nuk ke lidershipin me autorizim të plotë nga populli për të marrë vendime, ne jo vetëm s’do ta kishim ndërtuar dot shkollën “Ardian Klosi” apo lagjen e re te “5 Maji”, por ta harrojmë se do mund të bënim ndonjë punë në Tiranë”.

Ai vuri në dukje se Tirana nuk e kishte këtë ritëm që ka sot, kur dikur çdo vendim i Parlamentit kushtëzohej nga partitë e vogla.

“E mbaj mend atë kohë kur na kryqëzonin në Parlament partiçka të vogla, që na duheshin për të bërë shumicën. Tirana nuk kishte të njëjtin ritëm. Ky ritëm na vjen sot se Edi Rama, Partia Socialiste, ka mandat të plotë për të ecur përpara. Ne duhet të jemi gjithmonë më shumë se gjysma, për t’u siguruar që jemi edhe më shumë sesa gjithë të tjerët. Por nëse filozofia jonë është të rritemi, kundërshtarët tanë kanë pakësimin”.

Veliaj theksoi se me procesin e zgjedhjes së kryetarëve nëpër njësi po jepet mesazhin se PS është një parti e hapur dhe po i shton forcat më shumë për atë që do të jetë e treta e vërteta për Tiranën.

Tv Klan