BUSHATI

Partia Socialiste denoncoi sot ndërtimin e 5 kullave deri në 17 kate të larta poshtë digës së liqenit artificial. Bashkia e Tiranës e ka dhënë lejen për këto objekte më 1 gusht, siç tregon edhe tabela e punimeve.

Do të jenë 5 struktura banimi dhe shërbime nga 1 deri në 17 kate dhe 3 kate parkim nëntokë. Por sekretari Ekonomik në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, i kujton kryetarit të Bashkisë, Lulzim Bashës se ka dhënë leje ndërtimi në një ambient ku ai vetë kishte premtuar gjatë fushatës elektorale për Tiranën se do t’u mbetej qytetarëve dhe nuk do të lejonte ndërtime.

Demokratët kishin akuzuar pak vite më parë Edi Ramën, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, se në këtë zonë kishte planifikuar të ndërtonte pallate 25 katëshe dhe do të përfitonte prej tyre 20 përqind të vlerës.

Vetë kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, gjatë fushatës për Tiranën, kishte premtuar se në këtë zonë nuk lejonte ndërtime.

Partia Socialiste thotë se Basha duhet të dorëhiqet, jo vetëm për këtë rast, por sepse ai nuk po merret me punët e Bashkisë.

Bashkia reagoi përmes një deklarate, pa përmendur në asnjë rresht ndërtimin e 5 kullave deri në 17 kate  dhe lejen e dhënë për ndërtimin e tyre më 1 gusht nga kryetari Basha, por tha se deklarata e Partisë Socialiste është në vazhdën e sulmeve dhe bllokimeve që po u bën punëve publike Kryeministri Rama.

Tv Klan