Përçahet opozita parlamentare, disa deputetë pro marrëveshjes

Edhe pse arritën një marrëveshje për amendimet e Kodit Elektoral, socialistët dhe demokratët vazhdojnë replikat në distancë për këtë çështje. Në mbledhjen e grupit parlamentar, këtë të enjte, socialistët kanë shprehur vullnetin që ky dokument të miratohet në seancë e 23 Korrikut. Por nga burime nga mbledhja mësohet se Taulant Balla është shprehur se do të respektohet edhe kërkesa e opozitës parlamentare që kërkon përmirësim të Reformës Zgjedhore. E nëse kjo merret në konsideratë, demokratët nuk janë dakord.

Selia blu kërkoi përmes një deklarate ndërprerje të çdo diskutimi për ndryshime kushtetuese që lidhen me sistemin zgjedhor. Sipas demokratëve, çdo veprim i njëanshëm, në kushtet kur ata nuk janë pjesë e parlamentit, do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit e me pasoja për integrimin.

Socialistët e shohin veten mes 2 zjarreve. Ata i kanë ofruar opozitës brenda parlamentit një formulë që lejohen të votohet për një emër unik nga listat e subjektit politik, pra një hapje të listave siç ata kërkojnë. Por opozita nuk e ka pranuar ketë ofertë pasi tanimë kërkon me doemos depolitizim të administratës dhe jo siç u la në marrëveshjen e 5 Qershorit nga Këshilli Politik. Për këtë arsye deputetët e saj u larguan nga salla.

Por pavarësisht kësaj, opozita parlamentare nuk është e unifikuar në këtë qëndrim të sajin, kjo pasi disa deputetë të saj deklaruan votën e tyre pro marrëveshjes së 5 Qershorit.

Me plotësimin e afateve dhe procedurës parlamentare, Kuvendi do të nisë shqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në Komisionin e Ligjeve me qëllim për ta miratuar në seancë plenare në datë 23 Korrik.

Tv Klan