PD: Po prishni marrëveshjen e 5 Qershor

Edhe pse arritën një marrëveshje për amendimet e Kodit Elektoral, socialistët dhe demokratët vazhdojnë replikat në distancë për këtë çështje.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar këtë të enjte, socialistët kanë shprehur vullnetin që ky dokument të miratohet në seancën e 23 Korrikut. Por nga burime nga mbledhja, mësohet se Taulant Balla është shprehur se do të respektohet edhe kërkesa e opozitës parlamentare që kërkon përmirësim të Reformës Zgjedhore. E nëse kjo merret në konsideratë, demokratët nuk janë dakord.

Selia blu kërkoi përmes një deklaratë ndërprerje të çdo diskutimi për ndryshime kushtetuese që lidhen më sistemin zgjedhor. Sipas demokratëve, çdo veprim i njëanshëm, në kushtet kur ata nuk janë pjesë e parlamentit, do të përbente prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit e me pasoja për integrimin.

Socialistët e shohin veten mes 2 zjarreve. Ata i kanë ofruar opozitës brenda parlamentit një formulë që lejohen të votohet për një emër unik nga listat e subjektit politik, pra një hapje të listave, siç ata kërkojnë.

Por opozita nuk e ka pranuar këtë ofertë pasi tanimë kërkon medoemos depolitizim të administratës, siç kërkon OSBE ODIHIR-i dhe jo siç u la në marrëveshjen e 5 Qershorit nga Këshilli Politik. Për këtë arsye deputetët e saj u larguan nga salla. Megjithatë në parlament socialistët përforcuan qëndrimin se nuk e prekin marrëveshjen e Qershorit dhe e quajtën qëndrimin e opozitës parlamentare si formë presioni.

Tv Klan