Me efektin në sfond të bilbilave të opozitës, në një seancë që zgjati plot 7 minuta e 39 sekonda, parlamenti miratoi marrëveshjen me Italinë për azilkërkuesit.

77 vota pro. Janë dhe 3 zotërinjtë e PDIU-së atje në fund”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Shumica ashtu siç pritej depozitoi një kërkesë për të hequr nga rendi i ditës projektligjin për Amnistinë Penale pasi nuk arriti të bindë asnjë nga grupet e opozitës që të bëjnë së bashku kuorumin e nevojshëm prej 84 votash për ta miratuar.

“Kush është dakord për ta hequr? 74 vota pro për të hequr nga rendi i ditës”, shtoi Nikolla.

Sipas Gazmend Bardhit, socialistët u tërhoqën nga votimi sepse nuk arritën të bëjnë pazare.

“Për shkak se nuk arritën dot pazaret e tyre e tërhoqën, e shndërruan në një ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish, drejtorë të korruptuar”, tha Bardhi.

Por Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Grupit Kuvendor Socialist, pas seancës thanë se arsyeja e tërheqjes nuk lidhet me 84 votat që ata me siguri thanë se janë në parlament, për ta miratuar amnistinë, por në respekt të traditës për të votuar konsensualisht këtë projektligj.

“Ne i kemi solide votat, jemi të duruar për të respektuar traditën”, tha Bledi Çuçi.

“Nuk kërkojmë absolutisht votat e njërit grupim apo të grupit tjetër. Bisedimet janë tek drafti, nuk ka nënbisedime të fsheta”, shtoi Ministri Manja.

Manja shkoi dhe më tej me akuza për Lulzim Bashën dhe arsyet përse u tërhoq nga vota pro amnistisë.

“Bëhen mashtrues, gënjeshtarë, për një grusht vota. Lulzim Basha ka kërkuar amnisti për të gjithë protestuesit 2018-2020. Pyetja është shumë e thjeshtë: Po për para që kanë protestuar më 8 Janar, a do ketë amnisti? Që këtu janë të pandershëm”, shtoi ministri.

Ministri i Drejtësisë foli me siguri që dokumenti i hartuar prej tij nuk amniston veprat e korrupsionit dhe se do të marrë në parlament më shumë se 84 votat e nevojshme.

Tv Klan